Nga Aleksandër Cangonja

Ky dokument i rrallë i vitit 1935 (periudha e Mbretërisë Shqiptare) nxjerr në dritë një akt të lartë qytetarie dhe vullnetarizmi në qytetin e Durrësit. Në një shkresë zyrtare të Prefekturës, njoftohet se Dr. Dhimitër Vokopola ka pranuar të marrë përsipër detyrën e mjekut të Bashkisë “gratis” (falas), për t’i ardhur në ndihmë qytetit derisa vendi vakant të plotësohej.

Dr. Miti Vokopola (1897-1983) nuk ishte thjesht një mjek, por një pionier i vërtetë që hodhi themelet e neuropsikiatrisë shqiptare. Ai vinte nga një familje me tradita të hershme patriotike dhe, pas studimeve jashtë vendit, u kthye në Durrës për t’u shërbyer bashkëqytetarëve të tij me përkushtim të pashoq. Dokumenti mban edhe firmën e një tjetër figure të nderuar, Ahmed Daklit, i cili asokohe drejtonte Bashkinë e Durrësit me rregull dhe integritet.

Ky shkrim është një dëshmi e kohës kur profesioni i mjekut shihej si një mision i shenjtë. Në një epokë ku shteti ishte ende në konsolidim, njerëzit si Dr. Vokopola treguan se dashuria për qytetin dhe përgjegjësia morale qëndronin mbi çdo interes material.

Sa vlera të tilla na duhen sot? Një shembull që vjen nga e kaluara për të na frymëzuar e kujtuar se themelet e një shoqërie të shëndoshë ndërtohen mbi solidaritetin dhe shërbimin vullnetar. Mirënjohje për këta burra që me punë e sakrifica ndërtuan shtetin tonë!

Transkipti si më poshtë:

MBRETNIJA SHQIPTARE

PREFEKTURA MBRETNORE

DURRËS

Nr. 614 Prot. Durrës, më 20/IV/1935

Shkurtim:

Kemi nderin me ju njoftue se Z. Dr. Dhimitër Vokopola ka marrë mbi veti gratis të kryemit e shërbimevet të ndanit nga Mjekët e Bashkis qi i takon rrethit të qytetit me përjashtim të shërbimit Administrativ e gjyqësor jashta rajonit të qytetit e deri n’emnimin e Mjekut të Bashkis qi asht vakant.

Zotnija e tij qysh me datën e nesërme do të filloj nga detyra përkohësisht taman sikurse Mjeku i Bashkis qi sot asht ne detyrë.

Me nderime

Kryetar i Bashkis

(Firmosur: Ahmed Dakli)

P.T.

Ministris P. të Brendshme

Tiranë

Parashtrohet për dije.