Prokuroria e Fierit ka konfiskuar 10 pasuri të Saimir Taullaut dhe personave të lidhur me të, përfshirë njësi shërbimi, karburant, godina, troje dhe apartamente.
Mes pasurive të konfiskuara janë dy godina ekonomike në Lushnjë, një godinë e kombinuar pesëkatëshe me karburant, disa truall dhe arë, si dhe tre apartamente në Tiranë në zonat Sauk dhe Selitë.
Vlera e disa prej këtyre pasurive arrin miliona lekë.
Ky veprim u krye për të parandaluar dhe goditur pasuritë e fituara nga veprimtari të dyshimta, ndërsa Prokuroria e Fierit thekson se do të vijojë me hetime dhe masa të tjera për sekuestrimin e pasurive të paligjshme.
Në këtë mënyrë, autoritetet synojnë të sigurojnë që pasuritë që lidhen me aktivitete kriminale të mos përdoren dhe të mbeten jashtë qarkullimit.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
Me kërkesë të Prokurorisë Fier, konfiskohen 10 pasuri të shtetasit S.T., njësi shërbimi, karburant, godina, troje dhe ndërtesa
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u konfiskuan pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasit S.T. dhe personave të lidhur me të.
Kërkesa u bë bazuar në ligjin nr. 10192, datë datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” dhe u pranua nga gjykata. Për rrjedhojë, u konfiskuan pasuritë e mëposhtme:
1. Pasuria nr. 4/1, z.k. 8572, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, e llojit “Godinë ekonomike 2 kate, karburant dhe ambiente shërbimi;
2. Pasuria nr. 4/2, z.k. 8572, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, e llojit “truall+ndërtesë”, me vlerë 9,724,582 lekë;
3. Pasuria nr. 1/527, z.k. 8572, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, e llojit “Godinë e kombinuar 5 kate + karburant”, me vlerë 22,330,105 lekë;
4. Pasuria nr. 3/1, z.k. 8572, në Plug, Lushnjë, e llojit “godinë ekonomike 1 kt + podrum”, me vlerë 2,297,520 lekë.
5. Pasuria nr. 1/450, z.k. 8572, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, e llojit “njësi shërbimi 3 kate + rikonstruksion karburanti ekzistues + pikë gazi”.
6. Pasuria nr. 104/44, z.k. 3268, në Savër, Lushnjë, e llojit “arë”, me sipërfaqe totale 15.323 m2;
7. Pasuria nr. 857/28, z.k. 2087, në Karbunarë të Poshtme, Lushnjë, e llojit “arë”;
8. Pasuria nr. 151/2+1-10, z.k. 3266, në Sauk, Tiranë, e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 128 m2;
9. Pasuria nr. 102/22+1-6, z.k. 3266, në Sauk, Tiranë, e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 96.17 m2;
10. Pasuria nr. 104/81+2-21, z.k. 3292, në Selitë, Tiranë, e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 105.57 m2.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me prejardhje nga veprimtari kriminale.





