Të tjera detaje janë zbardhur nga mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve te Kryesia e Kuvendit, ku SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të zv/kryeministres së pezulluar dhe e pandehur, Belinda Balluku, pasi ishin gjetur prova të reja që rëndonin pozitën e saj.
Ndërsa opozita u shpreh në kërkesat e saj se ka prova të mjaftueshme për ta dërguar çështjen në parlament dhe për ta votuar heqjen e imunitetit, me qëllim që t’i hapet rruga arrestimit të Ballukut, ndryshe mendojnë përfaqësuesit e mazhorancës.
Mes tyre ka qene ish-ministri i drejtësisë, Ulsi Manja, që u shpreh kundër kërkesës së SPAK, e përfaqësuar nga kreu i institucionit, Klodian Braho dhe prokurori Dritan Prençi, prezent në sallë.
Gjatë fjalës së tij, Manja mësohet se ka thënë ndër të tjera se “masat e marra deri tani nga SPAK për numrin dy të qeverisë, janë të mjaftueshme”.
“Masat e marra nga SPAK deri tani për Ballukun janë të mjaftueshme për hetimin”, ka deklaruar ai.
Sakaq, opozita kërkoi që Kuvendi të japë autorizimin për arrestimin e saj dhe mbledhja është mbyllur për ditën e sotme, pasi përfaqësuesit e SPAK kanë lënë Kuvendin dhe anëtarët e Komisionit pritet të vijojnë diskutimet e mëtejshme, nëse do e kalojnë për votim kërkesën apo jo.
Sipas SPAK, Balluku akuzohet se ka intimiduar dëshmitarët, që janë të pandehur ose jo në dosje, gjithashtu ka tentuar prishjen e provave.
Me faktet e reja të zbuluara, nga 10 vite që parashikon Kodi penal për marzhin e veprave në fillim të hetimit, tani ka shkuar në 35 vite. Balluku akuzohet për tenderët abuzivë të Tunelit të Llogarasë në Vlorë dhe Unazën e Madhe në Tiranë.





