Për Bordin e Paqes që u inaugurua në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për situatën në Gaza, është hapur edhe faqe zyrtare në internet.
Në faqe janë renditur edhe flamujt e 28 shteteve, që janë pjesëmarrëse në Bord. Mes flamujve është edhe i Shqipërisë dhe Kosovës. Madje, flamuri shqiptar vjen menjëherë pas atij amerikan.
Sipas renditjes, anëtare të Bordit të Paqes janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bahreini, Bjellorusia, Bullgaria, Kamboxhia, Egjipti, El Salvador, Hungaria, Indonezia, Izraeli, Jordania, Kazakistani, Kosova, Kuvajti, Mongolia, Maroku, Pakistani, Paraguay, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistani dhe Vietnami.

Në fillim të faqes, thuhen edhe parimet kryesore të këtij Bordi:
Duke shpallur se paqja e qëndrueshme kërkon gjykim pragmatik, zgjidhje me mendje të shëndoshë dhe guximin për t’u larguar nga qasjet dhe institucionet që shumë shpesh kanë dështuar; Duke njohur se paqja afatgjatë zë rrënjë kur njerëzit fuqizohen të marrin pronësi dhe përgjegjësi mbi të ardhmen e tyre;
Duke pohuar se vetëm një partneritet i qëndrueshëm dhe i orientuar drejt rezultateve, i mbështetur në barra dhe angazhime të përbashkëta, mund të sigurojë paqen në vende ku ajo ka qenë për shumë kohë e paarritshme;
Duke shprehur keqardhje që shumë qasje ndaj ndërtimit të paqes nxisin varësi të përhershme dhe institucionalizojnë krizën në vend që t’i çojnë njerëzit përtej saj;
Duke theksuar nevojën për një organ ndërkombëtar më fleksibël dhe më efektiv për ndërtimin e paqes; dhe
Duke vendosur të krijojnë një koalicion shtetesh të gatshme të përkushtuara ndaj bashkëpunimit praktik dhe veprimit efektiv,
Të udhëhequra nga gjykimi dhe duke nderuar drejtësinë, Palët miratojnë me këtë Kartën për Bordin e Paqes.

Po ashtu, në faqe shpjegohet edhe misioni i Bordit të Paqes për Gazën.
“Bordi i Paqes është një organizatë ndërkombëtare që synon të promovojë stabilitetin, të rivendosë qeverisjen e besueshme dhe të ligjshme, si dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Bordi do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe siç mund të miratohen në përputhje me këtë Kartë, përfshirë zhvillimin dhe shpërndarjen e praktikave më të mira që mund të zbatohen nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe”, shkruhet në faqe.

Brenda faqes së internetit janë dhe fotografitë e liderëve, të vendeve që marrin pjesë te Bordi i Paqes, ku Rama renditet pranë Trump.
Brenda në faqe, lexuesit mund të gjejnë më tepër informacion sa i përket anëtarëve të Bordit të Paqes, anëtarëve të Bordit Ekzekutiv, anëtarëve të Bordit Ekzekutiv të Gazës, si dhe Zyrës të Përfaqësuesve të Lartë të Gazës.

Po ashtu, renditen edhe vendet që do të kontribuojnë financiarisht për këtë Bord. Shqipëria e Kosova do të ndihmojmë me trupa ushtarake në Gaza, me qëllim për të sjellë paqe në një rajon tepër të dëmtuar nga lufta.





