26 organizata mjedisore i janë drejtuar me letër publike sot qeverisë shqiptare, ku kërkojnë masa emergjente për respektimin e standardeve mjedisore.

Këto organizata shprehin shqetësim, lidhur me ndërhyrjet në shtratin dhe brigjet e lumit Shkumbin, në kuadër të punimeve për ndërtimin e rrugës nacionale Elbasan-Librazhd-Bushtricë, pjesë e Koridorit VIII.

“Bazuar në vëzhgime në terren, dokumenetim teknik dhe vizual si dhe raportime nga komunitetet lokale, organizatat kanë evidentuar ndryshime në morfologjinë e lumit, nxjerrje të materialeve inerte nga shtrati dhe brigjet, si dhe depozitime të materialeve të gërmimit në afërsi ose brenda trupit ujor. Sipas tyre, këto ndërhyrje mund të ndikojnë në cilësinë e ujit, biodiversitetin, stabilitetin e brigjeve dhe ekuilibrin natyror të ekosistemit lumor”, thuhet në njoftim.

Në letrën e hapur drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, Ministrit të Mjedisit, Z. Sofjan Jaupaj, si dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e burimeve ujore dhe monitorimin mjedisor, organizatat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme institucionale dhe verifikim të plotë të ligjshmërisë së veprimeve të kryera në lumë.

Konkretisht, organizatat kërkojnë:

  • Inspektim urgjent në terren nga institucionet kompetente dhe publikim i një raporti zyrtar me gjetje dhe masa konkrete;
  • Verifikim i përputhshmërisë së ndërhyrjeve me lejet për përdorim të burimit ujor dhe kushtet e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis;
  • Monitorim i cilësisë së ujit dhe i sedimenteve në segmentet e prekura;
  • Hartim dhe zbatim i një plani rehabilitimi për zonat e dëmtuara;
  • Transparencë e plotë mbi dokumentacionin, vendimet dhe kushtet e lejeve të dhëna.

Organizatat theksojnë se përdorimi i materialeve inerte lumore duhet të jetë në përputhje të rreptë me standardet teknike dhe ligjore në fuqi dhe se çdo devijim nga këto standarde rrezikon të shkaktojë pasoja afatgjata mjedisore dhe territoriale. Pasojat e këtyre ndërhyrjeve janë të dukshme edhe në këtë fazë të punimeve, por mund të jenë edhe më të mëdha në kohë afatgjatë, duke rrezikuar qëndrueshmërine e brigjeve të lumit, rrugët, tokat dhe shtëpitë apo bizneset në anë të lumit.

Ky është një shqetësim i ngritur edhe më parë nga organizatat lokale dhe banorët e prekur, duke theksuar se kjo iniciativë nuk është kundër zhvillimit infrastrukturor, por në mbështetje të një zhvillimi të përgjegjshëm, të balancuar dhe në përputhje me legjislacionin mjedisor dhe interesin publik.

“Lumi Shkumbin përfaqëson një pasuri natyrore me rëndësi të veçantë për komunitetet lokale, bujqësinë, biodiversitetin dhe stabilitetin ekologjik të rajonit. Mbrojtja e tij kërkon monitorim të vazhdueshëm, transparencë institucionale dhe respektim të plotë të kuadrit ligjor”, saktësohet më tej.

Organizatat nënshruese:

  1. Shoqata AlbNatyra
  2. Qendra NORMA
  3. Reinforce Sustainability (RESU Albania)
  4. GO2Albania_Organizatë për Planifikim të Qëndrueshëm Urban
  5. Qendra LUMI – Lëvizja për Ujërat, Mjedisin dhe Integrimin
  6. Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)
  7. Rrjedha
  8. Qendra Balancë
  9. Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania)
  10. Unë Gruaja
  11. Instituti për Natyrën dhe Konservimin në Shqipëri (INCA Albania)
  12. ILIRIA-Protection and Social & Environmental Development Association (PSEDA-ILIRIA)
  13. Eko mjedisi Durrës
  14. AGRIEN_SHOQATA E BASHKUAR AGRO-MJEDISORE
  15. Qendra Burimore e Mjedisit ne Shqipri (REC Albania)
  16. All-Green Centre
  17. Milieukontakt Albania
  18. Shoqata Ornitologjike e Shqiperise (AOS)
  19. Rrjeti për Raportimin e K.O.K.Sh
  20. Shoqata Ekspertet e Rinj Mjedisor -SHERM Albania
  21. Shtëpia e Gjelbër
  22. Instituti per Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit
  23. Destination Management Organization
  24. Korça Alpin
  25. North Green Association
  26. Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit

Kjo nismë u mbështet edhe nga rrjeti i organizatave GreenAl