Në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka dëshmuar Leonard Selimi, i afërm i biznesmenit Çajup Selimi, i cili u vra më 1 qershor 2021.

Për këtë ngjarje ka rrëfyer më herët i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, i cili ka deklaruar se është paguar 25 mijë euro nga Laert Haxhiu për ekzekutimin e Selimit.

Sipas dëshmisë së Tafanit, në momentin e vrasjes, viktima e kishte parë në sy teksa qëllohej, pa e kuptuar se ku po e kapnin plumbat.

Ndërkohë, Leonard Selimi ka dëshmuar se autorin nuk e ka parë dhe nuk ka dëgjuar të shtëna, por në banesën e tij ka gjetur një plumb, në kokën krevatit.

“Nuk dëgjova krisma armësh. Gjeta plumbin brenda në shtëpi, te koka e krevatit. Ia dhashë të nesërmen policisë. Atë natë nuk kisha parë asgjë. Pashë vetëm vrimën në derë”, ka dëshmuar ai.

Selimi ka treguar se Çajup Selimin e njihte si djalë punëtor dhe se para se të vritej, nuk dinte asgjë për të.

“Pasi u vra, morëm vesh që kishte probleme. Kishte sherre me disa çuna nga fshati Veliqot i Tepelenës, emrat nuk i di, por si fytyra i njoh. Janë tre çuna, kanë bërë një ose dy sherre. Ishin rregulluar pastaj dhe erdhën te varrimi. Ishte mbyllur sherri. Për ndonjë sherr tjetër të hapur nuk di gjë. Nuk i jap dot shpjegim vrasjes”, ka dëshmuar ai në GJKKO.

Dëshmia e Leonard Selimit:

“Kur ndodhi vrasja, unë isha në shtëpi. Poshtë katit tim, ishte data 1 qershor, rreth orës 21:00. Nuk dëgjova zhurmë dhe as nuk e pashë autorin. Hapa derën sepse më ra plumbi te dera. Nuk dëgjova krisma armësh. Gjeta plumbin brenda në shtëpi, te koka e krevatit. Ia dhashë të nesërmen policisë. Atë natë nuk kisha parë asgjë. Pashë vetëm vrimën në derë.

Kur dola te dera pashë gjak. U mundova t’i jap ndihmën e parë. I dilte gjak nga goja, nuk kishte reagim nga ana e tij. Doli nusja e tij, pastaj dikush nga kati i parë dhe të gjithë të tjerët. E mora vesh nga televizioni.

E njihja si djalë punëtor, djalë të qetë. Po të doje një numër telefoni, ta gjente. Shiste çimento, kishte magazinë. Në kafe ai nuk ulej kurrë me ne, por bisedonim gjëra të rinjsh.

Para se të vritej, nuk dinim asgjë për të. Pasi u vra, morëm vesh që kishte probleme. Kishte sherre me disa çuna nga fshati Veliqot i Tepelenës, emrat nuk i di, por si fytyra i njoh. Janë tre çuna, kanë bërë një ose dy sherre. Ishin rregulluar pastaj dhe erdhën te varrimi. Ishte mbyllur sherri. Për ndonjë sherr tjetër të hapur nuk di gjë. Nuk i jap dot shpjegim vrasjes.”

DËSHMIA E ARTAN TAFANIT PËR VRASJEN E SELIMIT

Artan Tafani, i penduari i drejtësisë që ka rrëfyer 17 ngjarje kriminale, ka treguar një vit më parë arsyen e ekzekutimit të biznesmenit Çajup Selimi, krim i ndodhur 1 qershorit të vitit 2022 në qendër të Tepelenës.

I pyetur nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, rreth arsyes së ekzekutimit të biznesmenit, Artan Tafani u shpreh se: “Mora vesh nga Laerti se u vra pasi Erisiano kishte pas probleme dhe konflikte me të”.

I penduari i drejtësisë tregoi se viktima i kishte ngacmuar nënën Erisiano Abedini.

“Kishin pas sherr sepse Çajupi kishte ngacmuar nenën e Erisianos. Duke qene se Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili kishin rënë në burg Laert Haxhiu kishte nevojë për njerëz e për mua”, tha Artan Tafani në GJKKO.

Pas krimit, ai tregoi se ka udhëtuar drejt Greqisë ku ka takuar Laert Haxhiun në një vilë.

“Mbas vrasjes së Çajupit shkova në Greqi dhe takova Laertin dhe Mario Dijamantin e Xhino Bajramin në një vilë ku ishin me të dashurat”, tregoi ai.

Artan Tafani, tregoi me detaje momentin e ekzekutimit të Selimit.

Pasi shkova tek pallati, po rrija ngjitur me hyrjen dhe dëgjova një makine si benz që kishte ai, isha ballë për ballë me atë kisha maske covidi edhe një kapele, po më shikonte dhe pati si dyshim. U fut në hyrje të pallatit, ai u ngjit kat parë kat 2, unë isha nga mbrapa tij, ishte qeros dhe unë dija dhe rrobat që kishte veshur atë ditë të kuqe, aty e qëllova nga mbrapa , 3 herë e shkrepa e qëllova, një herë ne shpatull dhe 2 herë të tjera por se di ku e kapi… Ika me vrap për nga burgu Bënçës, rashë ne ca ferra aty si jashtë qytetit, armën e kisha me vete, zastava ose bereta e vogël, me silenciator, s’po gjeja rrugicën që të dilja, sipas planit duhet te dilja tek lumi Vjosa ku do vinte Ligori”, tha Tafani.