Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të mos e kalojë në seancë për shqyrtim çështjen për mënyrën se si u zgjodh Endri Shabani Avokat i Popullit nga Kuvendi.
Vendimi ka të bëjë me kërkesën e Adriana Kalasë, e cila kërkoi konstatimin si të paligjshëm të procedurës së zgjedhjes së Shabanit në krye të këtij institucioni, çështje që shkaktoi debat mes palëve politike.
Parlamenti votoi më 11 dhjetor Endri Shabanin si Avokat të Popullit, i cili mori 85 vota pro të deputetëve të PS-së dhe PSD-së dhe tre kundër. Ndërsa Partia Demokratike dhe Partia Mundësia nuk morën pjesë në votim.
Opozita kundërshtoi procedurën e ndjekur, duke deklaruar se kishte tërhequr firmat mbështetëse për kandidaturat për Avokat të Popullit dhe se Endri Shabani nuk ishte kandaturë e mbështetur nga Partia Demokratike.





