Prokuroria e Posaçme sekuestron një apartament në Qerret të Kavajës, në pronësi të shtetasit Kosovar Shemsi Bahtiri, ish-anëtar i lëvizjes Vetëvevendosja në Kosovë, i arrestuar nën dyshimet për trafik droge.
SPAK u vu në lëvizje mbi bazën e një kërkese për ndihmë të ndërsjelle juridike nga prokuroria Speciale e Kosovës, e cila po e heton Bahtirin për përfshirje në aktivitetin e paligjshëm të trafikut të drogës.
Shemsi Bahtiri, i cili u përjashtua nga Partia Vetëvendosja e Albin Kurtit u arrestua pas zbërthimit të aplikacionit të koduar Sky ECC, që iu vunë në dispozicion nga autoritetet franceze.
Prokuroria speciale kërkoi ndihmë nga SPAK për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të personave që ishin pjesë e grupit kriminal, pasi kishte dyshime se paratë e fituara nga aktiviteti kriminal i kanë investuar në pasuri të paluajtshme, si si tokë, shtëpi, banesa, vetura etj. Bazuar në këtë kërkesë SPAK kreu një sërë verifikimesh jo vetëm për Bahtirin, por edhe të paktën dy të dyshuar të tjerë. Nga këqyrja e faqes së Qendrës Kombëtare të Biznesit rezultoi se në emër të Shemsi Bahtiri rezulton subjekti “DAIMAN” shpk me objekt veprimtarie “Shitblerje e pasurive të paluajtshme”, i regjistruar më date 11.03.2025.
Ndërsa u zbulua se ai zotëronte një apartament në Qerret të Kavajës që tashmë është vënë nën sekuestro.
Shemsi Bahtiri akuzohet se veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, blerja, posedimi dhe shpërndarja e narkotikëve dhe pastrim parash.
Ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Qielli i Thyer” dje gjatë kontrolleve u sekuestruan lëndë narkotike, shuma të konsiderueshme parash, armë të llojeve të ndryshme, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme.





