Katër shqiptarë kanë rënë në pranga në një operacion të gjerë antidrogë nga karabinierët, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Milanos dhe Drejtorinë Kundër Mafias. Ata janë të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës mes Italisë dhe Shqipërisë.

Operacioni është finalizuar më 20 shkurt, pas një hetimi të thelluar që ka zgjatur nga maji deri në shtator të vitit 2022. Hetimet janë kryer nga Seksioni i Kriminalitetit të Huaj i Skuadrës Mobile dhe kanë përfshirë përgjime telefonike, ndjekje në terren, kontrolle të befasishme dhe arrestime në flagrancë.

Sipas autoriteteve italiane, grupi kriminal ishte i mirëorganizuar, me role të qarta për secilin anëtar. Ata kishin identifikuar ambiente të posaçme për ruajtjen dhe përgatitjen e lëndës narkotike, përdornin automjete për transportin dhe shpërndarjen e saj, si dhe telefona të koduar dhe karta telefonike të regjistruara në emra personash të tjerë për t’iu shmangur zbulimit.

Gjatë aktivitetit hetimor, janë konstatuar më shumë se një mijë shitje kokaine të kryera pa asnjë ndërprerje, për një xhiro të paligjshme prej disa qindra mijëra eurosh. Kreu i grupit, shtetas shqiptar 34-vjeçar, është gjetur në Milano në rezidencën e tij në rrugën Via Veglia, ku ishte nën masë sigurie, pas arrestimit në flagrancë të kryer në tetor 2022, kur iu gjet gjysmë kilogrami kokainë.

Një i dyshuar i dytë, shtetas shqiptar 33-vjeçar, është gjetur në Guidonia Montecelio (RM), ku po vuante arrest shtëpie pas arrestimit në korrik 2022 për posedimin e 150 dozave kokaine.

Dy të dyshuarit e tjerë, shtetas shqiptarë 33 dhe 34 vjeç, pas zgjerimit të kërkimeve në nivel ndërkombëtar nga ana e Prokurorisë, janë arrestuar në Shqipëri nga autoritetet policore të vendit tonë. /Italpress