Pas një ndeshje plot emocione në “Selman Stërmasi”, protagonisti absolut i sfidës mes Teutës dhe Tiranës ishte mesfushori Xheol Maçolli. Me gjakftohtësi nga pika e bardhë në minutën e 86- të, ai vulosi një fitore të çmuar për durrsakët, duke ndezur entuziazmin e tifozëve dhe duke i dhënë skuadrës tri pikë me peshë në kampionat. Maçolli flet për emocionet e penalltisë vendimtare, presionin e momentit dhe sfidën e radhës ndaj Flamurtari, ku Teuta synon të vijojë ecurinë pozitive.

Xheol, një fitore e rëndësishme për Teutën dhe një gol vendimtar nga ju në minutën e 86-të. Si e përjetuat atë moment?

Ishte një moment me shumë emocione. Ndeshja ishte e luftuar deri në fund dhe e dija që ajo penallti mund të vendoste gjithçka. Mora frymë thellë, u fokusova dhe mendova vetëm për ta çuar topin në rrjetë. Për fat të mirë gjithçka shkoi siç duhet.

Sa presion ndjetë para ekzekutimit të penalltisë?

Presioni ishte i madh, sidomos përballë një kundërshtari si Tirana dhe në minutat e fundit të ndeshjes. Por si futbollist duhet të jesh i përgatitur për këto momente. Besova te vetja dhe te puna që bëjmë çdo ditë në stërvitje.

Çfarë do të thotë ky gol për ju personalisht?

Çdo gol ka rëndësinë e vet, por ky ishte i veçantë sepse erdhi në një ndeshje shumë të rëndësishme dhe i dha ekipit tri pikë të vlefshme. Më motivon të punoj edhe më shumë.

Si e vlerësoni paraqitjen e skuadrës në këtë përballje?

Mendoj se skuadra tregoi karakter. Luftuam për çdo top dhe nuk u dorëzuam deri në fund. Kjo është fryma që duhet të kemi në çdo ndeshje.

Tashmë vjen përballja me Flamurtarin. Çfarë prisni nga ky duel?

Do të jetë një tjetër ndeshje e vështirë. Flamurtari është skuadër që lufton shumë, sidomos në këtë momente që është. Ne duhet të jemi të përqendruar maksimalisht dhe të zbatojmë detyrat që na jep trajneri.

A do të ndikojë kjo fitore në moralin e ekipit për ndeshjen e radhës?

Patjetër që po. Fitoret të japin besim dhe qetësi. Por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse kampionati është i gjatë dhe çdo ndeshje ka historinë e vet.