Zjarri i rënë një ditë më parë në një pallat shumëkatësh në kryeqytet rihap edhe njëherë debatin për sigurinë e ndërtimeve gjatë viteve të demokracisë, por edhe godinave kolektive shumëvjeçare.
Raste të tilla ngrenë shqetësim tek qytetarët mbi sigurinë teknike dhe respektimin e standardeve nga ndërtuesit, por edhe subjektet që ushtrojnë aktivitet në to.
Për ekspertin e zjarreve dhe kriminologun Fatmir Tare është mjaft e rëndësishme parandalimi i zjarreve përmes sistemit hidrant tek pallatet e reja dhe ndërhyrja efektive në momentet e para të një vatre zjarri.
Për këtë arsye, ai kërkon trajnime të vazhdueshme të përsonelit qoftë në rastet e pallateve, ku kjo detyrë i takon administratorit, ashtu edhe në subjekte private.
“Çdo subjekt, në përputhje me ligjin, e ka të detyrueshme të trajnojë, të krijojë skuadra vullnetare për mbrojtjen nga zjarri, të ndërhyjë dhe të përdorë këto mjete në raste nevoje. Kjo mbetet detyrë themelore për çdo qytetar, për çdo subjekt që vepron në rrethin e Durrësit”,- thotë Tare për mikrofonin e “DurrësLajm”.
Për vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve është e domosdoshme ndërhyrja në kohë e shërbimeve zjarrfikëse. Por për shkak të ndërtimeve pa kriter dhe trafikut të rënduar në rrugët e Durrësit, në disa zona të qytetit, nuk mund të ndërhyhet në mënyrë urgjente.
“Në kohën e verës është lagjja nr.1, rruga e Currilave, duke qenë se ka shumë aktivitete tregtare, hoteleri etj. Kjo rrugë ngarkohet me trafik dhe mjeti zjarrfikës e ka të vështirë për të shkuar në destinacion, në kohën e duhur. Është rruga e Spitallës gjithashtu, qendra e qytetit”,– thotë Tare.
Pavarësisht ndërtimeve shumëkatëshe në 36 vitet e fundit, Durrësi është akoma një qytet në zhvillim e sipër, madje synon të zgjerohet në lartësi tashmë. Për të parandaluar raste të ngjashme si ai i një dite më parë, eksperti Tare rekomandon zbatimin e të gjithë standarteve teknike të sigurisë për të garantuar në radhë të parë jetët njerëzore.
“Është koha që veshjet e pallateve duhet të jenë në përshtatje me rregullat në fuqi të BE-së. duhet të jenë zjarrduruese, jo zjarrpërçuese. Ka ardhur koha që të ndryshojnë. Këtë e kanë në dorë projektuesit dhe ata që merren me zbatimin e projekteve në ndërtimet e mëdha. Në radhë të parë duhet insistuar tek siguria, pasi jeta e njeriut dhe misioni i shërbimit zjarrfikës është i tillë që kërkon mbrojtjen e shëndetit të njeriut”.
Zjarri i rënë në pallatin “Arlis”, pranë zonës së njohur si Farmacia 10 në Tiranë shkaktoi djegien e fasadës së ndërtesës, ndërsa sipas informacioneve paraprake, dyshohet se rreth 30 apartamente janë përfshirë nga zjarri. Bilanci i saktë i dëmeve pritet të përcaktohet gjatë ditës.
M.B.





