Një grup artistësh durrsakë kanë hapur këto ditë një ekspozitë të përbashkët në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia”.

Artistët pjesmmarrës kanë sjellë para artdashësve krijimet e periudhës së fundit  pas tërmetit të 26 nëntorit dhe gjatë ditëve të pandemisë – tha kuratorja Anna Nina.

Tablotë dhe miniaturat skulptorike dallohen për temat e veçanta, për teknikat e përdorura si dhe për përmasat e ndryshme. Piktorët dhe skulptorët në ekkspozitë i përkasin brezit të mesëm të artistëve që u formua kryesisht në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” dhe që ka ndikuar ndjeshëm në jetën kulturore të qytetit bregdetar.

Cikli i trajtuar në gur zalli të latuar, sjellë sa thjeshtë edhe mjeshtërisht nga Erisa Bekteshi; veprat në përmasa epike nga Elio Bajramaj;  trajtimet e veçanta nga piktori Bajram Sallaku; shqetësimi qytetar për trashëgiminë arkeologjjike nga Ivo Moja, si dhe lirizmi që përshkon tablotë e  paraqitura nga Asela Kryemadhi Isteri janë bashkuar në ekspozitën “Art në kafaz”, që është hapur që prej një jave në qytetin e Durrësit.

Ekspozitat e përbashkëta të autorëve durrsakë kanë sjellë një larmi tablosh dhe punimesh interesante për artdashësit, ndërsa kanë shërbyer edhe si tema diskutimi mes artistëve të brezave të ndryshëm.

Ekspozita “Art në kafaz” do të qëndrojë e hapur deri në fund të kësaj jave.

G.K.