Nga Klevi Elezi

Në një kohë kur lajmi i ditës është bërë kronikë e zezë dhe emrat që përmenden janë gjithnjë e më të rinj, pyetja nuk është më “çfarë po ndodh?”, por “çfarë kemi hequr nga shoqëria që po e prodhon këtë boshllëk?”.

Në mungesë të kinemasë funksionale, teatrit aktiv, bibliotekave të gjalla dhe klubeve të librit, kemi krijuar një brez që informohet nga titujt, por nuk formohet nga idetë. Argëtimi është bërë zhurmë. Debati është bërë sharje. Mendimi kritik është zëvendësuar nga reagimi impulsiv.

Një shoqëri që nuk investon tek kultura, do të paguajë faturën tek rendi.

Sot lexojmë: armëmbajtje pa leje, plagosje, aksidente fatale. Të gjithë të rinj. Nuk është thjesht problem sigurie. Është problem formimi. Kur mungon libri, hyn instinkti. Kur mungon teatri, hyn dhuna si spektakël. Kur mungon filozofia, hyn zbrazëtia morale.

Nuk është rastësi që qytete si Tirana apo Shkodra, që dikur kishin jetë kulturore të gjallë, sot kanë më shumë qendra bastesh sesa salla leximi. Nuk është nostalgji është statistikë sociale e heshtur.

Duhet rikthim tek themeli.

Rikthimi i disiplinës, jo si represion, por si edukim qytetar. Debati për rikthimin e shërbimit ushtarak nuk duhet parë si militarizim i shoqërisë, por si mekanizëm për të mësuar përgjegjësinë, hierarkinë dhe bashkëjetesën. Një i ri që mëson të zgjohet me orar, të respektojë komandën dhe të punojë në grup, vështirë se do ta shohë armën si lodër.

Duhet rikthimi i filozofisë me detyrim në gjimnaz. Jo si lëndë për notë, por si mjet për të mësuar të menduarit. Brezi që nuk lexon Plato, do të ndjekë “influencerë”. Brezi që nuk njeh Aristotle, do të justifikojë çdo veprim me “kështu e bëjnë të gjithë”.

Kultura e librit nuk është luks. Është siguri kombëtare afatgjatë.

Një shtet që ndërton vetëm rrugë dhe jo mendje, prodhon trafik jo qytetërim.

Nëse duam më pak sirena policie, më pak ndërtime burgjesh, duhet më shumë dritë në biblioteka. Nëse duam më pak pranga, duhet më shumë libra në duar. Nëse duam më pak tituj tragjikë, duhet më shumë teatër, më shumë debat, më shumë mendim.

Sepse injoranca nuk është mungesë informacioni. Është mungesë kulture.
Dhe një brez pa kulturë nuk është thjesht problem i sotëm. Është krizë e së nesërmes.