Vendimi i Këshillit të Ministrave ka miratuar krijimin e Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar, i cili do të jetë në varësi të Ministrisë së Arsimit.

Inspektorati do të verifikojë pajtueshmërinë e veprimtarisë së institucioneve të arsimit parauniversitar me kuadrin rregullator në fuqi, nëpërmjet inspektimit. Gjithashtu, ai siguron unifikimin e praktikave të inspektimit në fushën e arsimit parauniversitar.

Inspektorati vlerëson përmbushjen e kritereve të licencimit dhe të ushtrimit të veprimtarisë së institucioneve arsimore private në fushën e arsimit parauniversitar, si dhe i propozon ministrit dënimin administrativ plotësues të pezullimit apo heqjes së licencës për ushtrimin e veprimtarisë.

VENDOSI:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  1. Krijimin e Inspektoratit Qendror të Arsimit Parauniversitar (në vijim IQAP), i cili organizohet dhe funksionon si person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për arsimin.
  2. IQAP-i financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi. Buxheti i IQAP-it përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin.
  3. IQAP-i ka për mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare në Shqipëri, nëpërmjet inspektimit në arsimin parauniversitar.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE DHE DETYRAT E INSPEKTORATIT QENDROR TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR

  1. IQAP-i ka këto funksione:

a) Verifikon pajtueshmërinë e veprimtarisë së institucioneve të arsimit parauniversitar me kuadrin rregullator në fuqi, nëpërmjet inspektimit;

b) Siguron unifikimin e praktikave të inspektimit në fushën e arsimit parauniversitar.

  1. IQAP-i, në përmbushje të misionit dhe përgjegjësive funksionale të tij, është institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor nëpërmjet ushtrimit të funksionit të inspektimit dhe kryen detyrat, si më poshtë vijon:

a) Vlerëson përmbushjen e kritereve të licencimit dhe të ushtrimit të veprimtarisë së institucioneve arsimore private në fushën e arsimit parauniversitar, si dhe i propozon ministrit dënimin administrativ plotësues të pezullimit apo heqjes së licencës për ushtrimin e veprimtarisë;

b) Planifikon veprimtarinë e inspektimit në arsimin parauniversitar dhe harton programin vjetor e mujor, si dhe raportin vjetor të inspektimit, sipas parashikimeve të ligjit për inspektimin dhe atë në fushën e arsimit parauniversitar;

c) Informon publikun për veprimtarinë e inspektimit dhe vendimet e marra;

ç) Çdo detyrë tjetër të parashikuar në kuadrin ligjor për inspektimin dhe atë në fushën e arsimit parauniversitar.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I INSPEKTORATIT QENDROR TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR

  1. IQAP-i organizohet në nivel qendror dhe ushtron juridiksion në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet inspektorëve, të cilët atashohen edhe pranë drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar.
  2. Veprimtaria e IQAP-it drejtohet nga kryeinspektori, i cili e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin, funksionimin, si dhe për cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së institucionit.
  3. Kryeinspektori i IQAP-it ka këto detyra dhe përgjegjësi:

a) Emëron pas paraqitjes së listës me kandidatët fitues nga komisioni i rekrutimit dhe ecurisë në karrierë, i ngritur në përputhje me ligjin për inspektimin, dhe liron nga detyra inspektorët e IQAP-it, sipas parashikimeve në kuadrin ligjor në fuqi;

b) Emëron dhe liron nga detyra punonjësit administrativë të IQAP-it;

c) Zbaton dhe administron buxhetin e miratuar të IQAP-it, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe përgatit projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, të cilin ia përcjell ministrit përgjegjës për arsimin, pas marrjes së mendimit këshillimor të inspektorit të Përgjithshëm;

ç) Nxjerr urdhra dhe udhëzime për veprimtarinë e strukturave të IQAP-it në fushën e inspektimit arsimor parauniversitar;

d) Bashkërendon veprimtarinë e IQAP-it me organet qendrore dhe organet e tjera shtetërore në fushën e arsimit parauniversitar;

dh) Siguron kontakte me organe homologe dhe organizata të ndryshme për çështje që lidhen me mirëfunksionimin e IQAP-it;

e) Siguron zbatimin e akteve ligjore e nënligjore, që rregullojnë veprimtarinë e inspektimit arsimor parauniversitar, dhe kontrollon zbatimin e tyre nga strukturat inspektuese;

ë) Merr masat menjëherë për zbatimin e vendimeve të komisionit disiplinor ndaj inspektorëve;

f) Propozon pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe Inspektoratit të Përgjithshëm ndryshime në aktet ligjore e nënligjore, me qëllim plotësimin dhe përmirësimin e legjislacionit përkatës.

  1. Kryeinspektori i IQAP-it përgjigjet dhe raporton drejtpërdrejt pranë ministrit përgjegjës për arsimin, përveç rasteve kur ministri ka përcaktuar shprehimisht, me urdhër, një njësi tjetër raportimi në aparatin e ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe Inspektoratit të Përgjithshëm për veprimtarinë inspektuese.
  2. Marrëdhëniet e punës së kryeinspektorit dhe inspektorëve të IQAP-it rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës, dispozitave të ligjit për inspektimin dhe akteve nënligjore, në zbatim të tij. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të tjerë administrativë të IQAP-it rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë.
  3. Struktura dhe organika e IQAP-it miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
  4. IQAP-i identifikohet me stemën, logon dhe vulën zyrtare.
  5. Stema e IQAP-it përbëhet nga stema e Republikës dhe shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Arsimit, Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
  6. Vula e IQAP-it ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e IQAP-it përmban dhe shënimin identifikues “Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar”.
  7. Vula e IQAP-it prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

  1. Funksionet inspektuese të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar transferohen pranë IQAP-it, sipas parimeve të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
  2. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të IQAP-it, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar dhe drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar vazhdojnë funksionimin e tyre, sipas strukturave dhe organikave të miratuara.
  3. Ngarkohen ministri përgjegjës për arsimin dhe inspektori i Përgjithshëm të marrin masat për përgatitjen e strukturës e të organikës së IQAP-it, si dhe për ndjekjen e procedurave të emërimit të kryeinspektorit, sipas kuadrit ligjor në fuqi, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
  4. Punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe të drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar, që ushtrojnë funksione inspektimi, vijojnë marrëdhëniet e punës pranë Inspektoratit Qendror të Arsimit Parauniversitar, sipas strukturës dhe organikës që do të miratohet.
  5. Ngarkohen Inspektorati i Përgjithshëm dhe ministria përgjegjëse për arsimin të sigurojë ambientet, infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë nga ana e IQAP-it.
  6. Në vendimin nr.99, datë 27.2.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Në pikën 1, të kreut II, dhe në shkronjën “a”, të pikës 8, të kreut III, fjalët “… dhe inspektimit …” hiqen;

b) Pika 5, e kreut II, shfuqizohet.

  1. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Inspektorati i Përgjithshëm, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar dhe Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.