Kryeministri Edi Rama publikoi këtë të hënë, më 2 mars, një video nga Banjat e Bënjës në Përmet, duke ndarë me qytetarët zhvillimet e fundit në këtë destinacion turistik, që sipas tij ka patur një fluks të lartë vizitash në fundjavë.
“MIRËMËNGJES, dhe me Banjat e Bënjës në Përmet, tashmë në një fazë transformimi të plotë, ku gjatë kësaj fundjave kishte një fluks të lartë vizitorësh dhe shumë qytetarë zgjodhën të kalojnë kohën mes natyrës dhe burimeve termale, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Në video shihet transformimi i infrastrukturës dhe ambientit, si dhe vizitorët që shijojnë burimet termale dhe natyrën e bukur të zonës.
Vitin e kaluar nisën punimet për transformimin e këtij destinacioni turistik, ndërsa aktualisht ka nisur edhe faza e arredimit: vendosjes së parvazëve të shkallëve dhe shtrimit të dyshemesë me dru dekorativ pranë vaskave.
Ky investim synon të pozicionojë Banjat e Bënjës si një pikë tërheqëse për turizmin rajonal dhe kombëtar, duke kombinuar relaksin në ujëra termale me peizazhet malore të Përmetit.





