Një në pesë persona në vendin tonë shfaqin probleme me dëgjimin.
Fëmijët dhe të rinjtë me shqetësime të tilla vitet e fundit sipas mjekëve janë shtuar.
Kjo për shkak të përdorimit të zgjatur të kufjeve me volum të lartë, qëndrimit apo punës në mjedise me shumë zhurmë dhe neglizhencës në trajtimin e infeksioneve të veshit.
“Ka një neglizhencë në trajtimin e këtyre infeksioneve duke pritur të zgjidhen vetë, ka prej tyre që japin probleme më të rëndësishme. Ka rënë miti që rënia e dëgjimit është e fokusuar vetëm tek moshat e mëdha. Sot po shikohet një rritje tek adoleshentët për shkak të praktikave të gabuara si përdorimi i teknologjisë, qëndrimi në mjedise të zhurmshme, mos përdorimi i masave mbrojtëse. Kufjet duhet të mbahen në 60-70% të volumit të tyre, jo më shumë se 1 – 2 orë në ditë, ne kemi të rinj që i përdorin në kohë më të zgjatur dhe i përdorin në volum më të lartë, krijojnë probleme me dëgjimin”, tha mjeku audiolog Arvenol Meta.
Rreth 60% e problemeve të dëgjimit sipas mjekëve mund të parandalohen dhe trajtohen, prandaj në ditën botërore të dëgjimit mjekët apelojnë për të kërkuar ndihmë sa nuk është vonë.
“Shpesh ne e marrim dëgjimin të mirëqenë. Kujtohemi kur fillojmë të kemi problemet e para si zhurmat në vesh, vështirësi në përqendrim. Kur kemi një vonesë në diagnozë trajtimi është i vështirë dhe i pamundur. Ndër shenjat kryesore që duhet të alarmojnë çdo person, dikush flet pas nuk e dëgjon, nëse është në grup njerëzish dhe ka vështirësi në të kuptuarin e asaj që thuhet. Shpesh i klasifikojmë fëmijët si pavëmendje, nuk janë të pavëmendshëm, por ndoshta nuk kanë dëgjuar, nëse i flisni e nuk përgjigjet duhet të alarmojë prindërit”, shtoi mjeku.
Nëse tek fëmijët probleme të tilla nuk trajtohen në kohë, mjekët thonë se ndikojnë në zhvillimin intelektual të tyre ndërsa tek të rritur bëhen shkak për izolim social. Ndërkohë problemet e dëgjimit studimet e fundit i lidhin me alzhajmerin në moshë të vonë.





