Nafta tregtohet më çmim maksimal 179 lekë litri, por jo të gjitha pikat e karburanteve e kanë ndërruar tabelën e çmimeve, edhe pse në bursa një fuçi nafte kushton 20% më shtrenjtë se një javë më parë.
Zgjatimi i luftës mund të sjellë shtrenjtim të lëndëve djegëse, nëse rrugët tregtare dhe rafineritë e naftës dhe gazit do të sulmohen.
Qeveria ende nuk shpallur ndonjë plan masash për të frenuar rritje abuzive apo kolaps në treg, siç e ka bërë Kosova duke vendosur tavan në marzhin e fitimit, megjithatë në krahasim me ditët e para të luftës Rusi-Ukrainë, firmat që shesin karburant nuk po spekulojnë në treg.
Shoqata e Hidrokarbureve tha për Euronews Albania se çmimi mund të rritet deri në 20 lekë për litër me këtë presion që po kalon tregu ndërkombëtar, ndërsa shoqata që mbrojnë biznesin në vend kërkojnë që çmimi të mbrohet duke përdorur rezervën 3-mujore që ligji e njeh në situata krizash.
Ndërkohë, edhe Autoriteti i Konkurrencës po ushtron trysni, duke monitoruar luhatjet e çmimit me paralajmërime për gjoba.





