Policia ka ndërhyrë gjatë protestës së ‘Shqipëria Bëhet’ para kryeministrisë, duke u marrë protestuesve karriget dhe pankartat. Gjatë protestës, Kryetari i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, paralajmëroi ngritjen e çadrave para godinës së Kryeministrisë, ku anëtarë të partisë së tij po protestojnë prej muajsh, por policia i hoqi menjëherë.
Në protestën e sotme, Lapaj bëri thirrje edhe për bashkim të qytetarëve, ndërsa shtoi se “beteja kundër hajdutërisë nuk duhet të ndalet”. Lapaj i bëri thirrje edhe politikanëve të të gjitha partive që të mblidheshin në shesh me çadrat e tyre dhe të protestonin së bashku dhe të mos rrinin studiove televizive.
“Po përballemi me qeverinë më të korruptuar në Europë. I bëj thirrje qytetarëve që të bashkohen kundër hajdutërisë”, tha ai ndër të tjera.
Ai njoftoi edhe vendimin e Prokurorisë që ka rrëzuar kallëzimin e Policisë dhe sekuestrimet e mëparshme të çadrave dhe sendeve të Lëvizjes, duke i rikthyer ato dhe hapur rrugën e protestave të tjera. Ai nënvizoi se e drejta e protestës mbrohet me ligj dhe Kushtetutë.





