U zgjodh pak minuta më parë kryetar i Partisë Demokratike në Durrës, por kush është Adrian Gashi dhe cilat janë eksperiencat e tij profesionale.

Dr. Adrian Gashi, i lindur në vitin 1977 në Durrës, është jurist dhe profesionist me mbi 28 vite eksperiencë në fushën e sigurisë dhe drejtësisë në Shqipëri. Aktualisht shërben si Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe është lektor i jashtëm në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku ligjëron lëndë të së drejtës dhe kriminalistikës.

Me titullin Kryekomisar, gjatë karrierës së tij në Policinë e Shtetit ka mbajtur disa funksione drejtuese të rëndësishme, duke drejtuar struktura që luftojnë krimin e organizuar, krimet e rënda dhe korrupsionin, si dhe ka shërbyer si zv.drejtor i Policisë së Qarkut Durrës.

Dr. Gashi është Doktor i Shkencave Juridike, me studime pasuniversitare  dhe me eksperiencë në trajnime ndërkombëtare në fushën e hetimit dhe bashkëpunimit policor.

Me një profil profesional të ndërtuar mbi eksperiencën institucionale, integritetin dhe angazhimin publik, Dr. Adrian Gashi është zgjedhur Kryetar i Partisë Demokratike në Durrës, me synimin për të forcuar organizimin e demokratëve dhe për të ndërtuar një përfaqësim më të fortë politik për qytetin.