Portugezi Ruben Saraiva është paraqitur sërish këtë të martë në Gjykatën e Lezhës, në vijim të procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij.

Në seancën e radhës, mbrojtja paraqiti konkluzionet përfundimtare për çështjen. Seanca zgjati rreth dy orë, ku Saraiva para trupit gjykues ka folur në lidhje me akuzat e bëra në drejtim të tij, duke kërkuar pafajësinë. Ai ka pohuar ndaj organit të akuzës, që të gjenden arsye më të forta, që e implikojnë atë.

Avokati i tij mbrojtës Kujtim Cakrani tha se bazuar në provat e pamjeve filmike, nuk rezulton që Saraiva të jetë autori i kësaj vrasjeje. Sipas avokatit, sot Saraiva ka denoncuar një fakt tjetër, atë të diskriminimit në burgje, konkretisht në vendin ku ai gjendet prej dy vitesh në paraburgim, në izolim total.

Saraiva akuzohet për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin. Më herët, Prokuroria e Lezhës ka dhënë pretencën, duke kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin portugez.

Nga ana tjetër, mbrojtja përmes avokatit Kujtim Cakrani pretendon se klienti i tij është i pafajshëm dhe se nuk ka prova të mjaftueshme që e implikojnë në këtë ngjarje. Pas paraqitjes së konkluzioneve nga pala mbrojtëse, pritet që gjykata të tërhiqet për vendim.