Një makinë u përplas me një portë në Shtëpinë e Bardhë, pak para orës 7 të mëngjesit sipas orës lokale, në Uashington D.C., duke shkaktuar mbylljen e rrugëve përreth kompleksit presidencial.

Sipas autoriteteve të SHBA-ve, automjeti u përplas me një portë të vendosur në kryqëzimin e ‘Connecticut Avenue’ dhe ‘H Street’, në anën veriore të Shtëpisë së Bardhë, sipas ‘Daily Mail’.

Shoferi i makinës u arrestua dhe po merret në pyetje nga Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara në lidhje me incidentin.

Nuk u raportuan të lënduar në aksident.

Incidenti vjen në një kohë shqetësimesh të shtuara për sigurinë në Shtetet e Bashkuara, pas një serie sulmesh që kur Uashingtoni filloi luftën me Iranin në Lindjen e Mesme.

Të shtunën, dy anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik hodhën pajisje shpërthyese të improvizuara në një protestë jashtë rezidencës zyrtare të kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut.

Të nesërmen, pas sulmeve të para amerikane kundër Iranit, një person i armatosur hapi zjarr në një bar në Austin të Teksasit, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur 15 të tjerë.