Qytetarët iranianë duhet të shmangin menjëherë portet përgjatë Gjirit të Hormuzit, pasi aty ndodhen anije të marinës iraniane, të cilat tani konsiderohen “objektiva të ligjshme ushtarake”, paralajmëroi Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom).

ADVERTISING

Sipas Centcom, Irani po përdor portet për operacione ushtarake që kërcënojnë lundrimin ndërkombëtar. “Kjo veprimtari e rrezikshme kërcënon jetët e njerëzve të pafajshëm. Portet civile që përdoren për qëllime ushtarake humbasin mbrojtjen e tyre dhe bëhen objektiva të ligjshme ushtarake sipas së drejtës ndërkombëtare,” thekson deklarata.

SHBA u bëri thirrje qytetarëve iranianë të shmangin menjëherë çdo port ku operojnë forcat e marinës iraniane, duke përfshirë punonjësit e portit, administratën dhe ekuipazhet e anijeve tregtare, të cilët duhet të qëndrojnë larg anijeve dhe pajisjeve ushtarake iraniane.

Komanda Qendrore amerikane njoftoi gjithashtu se, megjithëse ushtria nuk mund të garantojë sigurinë e qytetarëve, do të marrë të gjitha masat e mundshme për të minimizuar dëmet.

Një njoftim shtesë nga SHBA-të bëri të ditur se 16 anije iraniane që vendosnin mina afër Gjirit të Hormuzit u goditën, duke publikuar edhe video që dokumenton operacionin.