Nga Klevi Elezi

Në historinë e kombeve ka momente kur një hap i vogël prapa peshon më shumë se shumë hapa përpara. Këto janë ato çaste kur një shoqëri duhet të ndalet, të shohë veten në pasqyrë dhe të pyesë: ku po shkojmë dhe çfarë po humbasim gjatë rrugës. Shqipëria sot duket sikur ndodhet pikërisht në një nga këto udhëkryqe të heshtura, ku realiteti politik nuk përputhet më me aspiratën që kemi shpallur për vite me radhë: Evropën.

Europa nuk është thjesht një destinacion gjeografik apo një flamur blu me yje të artë. Europa është një mënyrë të menduari, një kontratë morale mes shtetit dhe qytetarëve, një rend ku pushtetet kufizojnë njëri-tjetrin dhe ku ligji është më i fortë se vullneti i momentit. Kur një vend bën hapa pas në këtë filozofi të shtetit, Europa nuk largohet me zhurmë por ajo thjesht fillon të zbehet nga horizonti.

Ngjarjet e fundit na japin një sinjal të qartë: kemi bërë disa hapa prapa. Dhe kur një vend bën hapa prapa në shtetin e së drejtës, Europa nuk afrohet, por largohet.

Problemi më i madh nuk është një krizë e vetme politike apo një konflikt institucional. Problemi është një konfuzion i madh në vetë arkitekturën e shtetit. Sistemet që duhet të jenë të ndara dhe të balancuara drejtësia, legjislativi dhe ekzekutivi kanë filluar të duken si pjesë të së njëjtës trupë, kur në fakt kushtetuta i ka menduar si kundërpesha të njëra-tjetrës.

Në filozofinë politike moderne, ndarja e pushteteve nuk është luks teorik. Është mekanizmi që mbron lirinë e qytetarëve. Kur këto pushtete fillojnë të mbivendosen, kur njëri ndikon mbi tjetrin, kur kufijtë bëhen të paqartë, atëherë shteti humbet ekuilibrin.

Për këtë arsye sot më shumë se kurrë duhet të flitet për një “divorc institucional”. Drejtësia duhet të jetë plotësisht e pavarur nga politika. Legjislativi duhet të rikthejë funksionin e tij të kontrollit dhe përfaqësimit real të qytetarëve. Ekzekutivi duhet të qeverisë, por jo të dominojë çdo mekanizëm të shtetit.

Ky divorc nuk është një konflikt mes institucioneve. Është një domosdoshmëri për të shpëtuar besimin publik.

Një tjetër sinjal që nuk mund të injorohet është heshtja diplomatike. Ambasadat nuk u hapën, nuk pati reagimin e pritur ndërkombëtar që shpesh shoqëron momentet e rëndësishme politike në vend. Kjo heshtje nuk duhet interpretuar si miratim, por si një mesazh i ftohtë: bota po pret të shohë nëse Shqipëria është ende e vendosur të ndjekë rrugën që ka shpallur.

Në politikën ndërkombëtare, heshtja është shpesh më domethënëse se fjalët.

Por ky reflektim nuk është vetëm për politikën. Në fund të fundit, çdo sistem politik është pasqyrë e shoqërisë që e mban në këmbë. Qytetarët janë themeli i çdo republike. Nëse qytetari dorëzohet përpara indiferencës, atëherë edhe institucionet fillojnë të zbrazen nga kuptimi.

Prandaj ky është një moment që kërkon ndërgjegje qytetare. Jo zemërim të verbër, jo cinizëm, por përgjegjësi. Demokracia nuk është një dhuratë që mbahet vetë në këmbë; ajo kërkon vigjilencë të përditshme.

Europa mund të duket sot më larg se dje. Por rruga drejt saj nuk është e mbyllur. Ajo kalon përmes një rikthimi të sinqertë tek parimet: shteti i së drejtës, ndarja e pushteteve dhe respekti për qytetarin.

Në fund të fundit, Europa nuk është ajo që na pret në Bruksel. Europa është ajo që ndërtojmë çdo ditë brenda vetë shtetit tonë. Dhe nëse duam që ajo të afrohet sërish, duhet të kemi guximin të pranojmë se në një moment të caktuar kemi bërë disa hapa pas për të gjetur pastaj forcën për të ecur përpara.