Një 34-vjeçar është arrestuar ditën e sotme (14 mars) nga Policia e Korçës pas një operacioni antidrogë.

Pas dyshimeve se ishte pjese e një rrjeti shpërndarësish të lëndëve narkotike, agjentët bënë ndërhyrjen në Devoll, ku dhe i riu D.M., banues në fshatin Breçanj, kryente aktivitetin e paligjshëm.

“Gjatë kontrollit fizik këtij shtetasi iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Më pas nga kontrolli në banesën e tij u gjetën fara Cannabisi, një sasi municioni luftarak dhe një shumë parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, bënë me dije burime zyrtare për detajet e operacionit të koduar “Breçanj”.

Hetimet i kaluan prokurorisë vendore, për të zbuluar bashkëpunëtorët e tjerë në aktivitetin kriminal.

Njoftimi i Policisë Korçë:

“Në vijim të punës, për goditjen e veprimtarive të paligjshme të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike, kultivimit të bimëve narkotike dhe mbajtjes pa leje të municioneve luftarake, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas në Devoll, dyshohej se i ushtronte këto veprimtari, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Devoll, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Braçanj”.

Në kuadër të këtij operacioni, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi D. M., 34 vjeç, banues në fshatin Braçanj, Devoll.

Gjatë kontrollit fizik këtij shtetasi iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Më pas nga kontrolli në banesën e tij u gjetën fara Cannabisi, një sasi municioni luftarak dhe një shumë parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”.