Në përvjetorin e 18-të të tragjedisë së Gërdecit, familjarët e viktimave kërkojnë që drejtësia të shkojë deri në fund. Ata theksojnë se procesi gjyqësor për këtë çështje ka zgjatur shumë dhe është përballur me pengesa të shumta politike, duke mos dhënë drejtësi për tragjedinë e 15 marsit 2008, që i mori jetën 26 personave dhe plagosi dhjetra të tjera. 
18 vite nga tragjedia e Gërdecit/ Askush në burg për 26

18 vite pas tragjedisë së Gërdecit, familjarët e viktimave kërkojnë sërish që drejtësia për këtë ngjarje të shkojë deri në fund.

Në një deklaratë të përbashkët, ata theksojnë se kjo datë nuk është vetëm një përkujtim simbolik, por një plagë që vazhdon çdo ditë për familjet që humbën njerëzit e tyre më të dashur.

Sipas tyre, tragjedia e 15 marsit 2008 mbetet një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar shoqëria shqiptare në kohë paqeje.

Familjarët kundërshtojnë pretendimet se procesi gjyqësor që po zhvillohet aktualisht në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është një proces politik.

Sipas tyre, pengesat që kanë vonuar drejtësinë ndër vite kanë qenë pikërisht të natyrës politike.

Ata kujtojnë se akuza ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu është ngritur që në vitin 2009, por për më shumë se një dekadë çështja nuk u gjykua.

Procedimi u ndërpre pasi Mediu fitoi mandat deputeti dhe përfitoi nga imuniteti parlamentar, ndërsa pas shumë kërkesash nga familjarët, çështja u rikthye në sistemin e drejtësisë dhe po shqyrtohet aktualisht në GJKKO.

Megjithatë, familjarët shprehin shqetësimin se edhe gjatë tre viteve të fundit procesi gjyqësor ka pasur zvarritje.

Në thelb të çështjes, sipas familjarëve, qëndron vendimi për të lejuar demontimin e municioneve të kalibrave të mëdhenj pranë zonave të banuara, nga një kompani private që sipas tyre nuk kishte teknologjinë dhe kontrollin e nevojshëm.

Ata theksojnë se nuk kanë qenë kundër procesit të demontimit, por kundër mënyrës se si ai u krye, në kushte të pasigurta dhe pranë banesave.

Shpërthimi në Gërdec ndodhi më 15 mars 2008, në një fabrikë për demontimin e municioneve.

Nga tragjedia humbën jetën 26 persona, qindra të tjerë u plagosën dhe dhjetëra banesa u shkatërruan ose pësuan dëmtime të rënda, në atë që cilësohet si një nga ngjarjet më të rënda të 30 viteve të fundit.