Autoriteti i Konkurrencës pritet të hapë hetim për tregun e sigurimeve në vend. Duke iu përgjigjur insistimit të zëvendëskryetarit të Komisionit Kuvendor për Ekonominë, Financat dhe Punësimin, kryetari i Komisionit të Konkurrencës, Denar Biba, tha se pritet që ky treg të jetë së shpejti objekt hetimi i këtij institucioni, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Megjithatë, çështja e sjellë shpesh në vëmendje nga Komisioni i Ekonomisë është funksionimi i Konkurrencës në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.

Në projektrezolutën e përgatitur nga Komisioni Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat vitin e kaluar (projektrezolutë që sidoqoftë nuk u miratua nga Kuvendi), kërkohej që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin e Konkurrencës, të hetojë me prioritet tregun e produkteve të sigurimit të detyrueshëm TPL dhe Karton Jeshil, me qëllim verifikimin e praktikave që kanë ndikuar në kufizimin e konkurrencës dhe në fiksimin e çmimeve për këto produkte. Hetimi duhet të përfshinte analizën e mënyrës së shkëmbimit të informacionit ndërmjet operatorëve të tregut, si dhe vlerësimin e ndikimit të tij në sjelljen tregtare dhe ekonomike të kompanive të sigurimit.

Projektrezoluta kërkonte gjithashtu që AMF të propozojë masa konkrete për rikthimin e konkurrencës së lirë në këtë treg dhe për forcimin e transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjithashtu, kërkohej që, në bashkëpunim me organet e tjera ligjzbatuese, AMF të hetojë ekzistencën dhe funksionimin e subjekteve apo operatorëve të paligjshëm që ofrojnë algoritme ose platforma digjitale, përmes të cilave mundësohet koordinimi i çmimeve, ndarja e tregut dhe shpërndarja e të ardhurave sipas përqindjeve ndërmjet kompanive të sigurimit.

Megjithatë, në një intervistë të dhënë në fillim të këtij viti për “Monitor”, AMF vlerësonte se tregjet e produkteve të sigurimit të detyrueshëm motorik shfaqin një nivel të pranueshëm të funksionimit të konkurrencës. AMF-ja shprehej se funksioni i konkurrencës për produktet TPL duhet kuptuar edhe në kontekstin e karakteristikave strukturore të këtyre produkteve të rregulluara. Sipas AMF-së, nga perspektiva mbikëqyrëse, pavarësisht standardizimit të produktit dhe natyrës së detyrueshme të sigurimit motorik, presioni konkurrues midis shoqërive ekziston dhe manifestohet.

Sidoqoftë, AMF -ja theksonte se vlerësimi përfundimtar mbi ekzistencën ose jo të problematikave të konkurrencës dhe mbi sjelljet potencialisht anti-konkurruese mbetet në kompetencën ekskluzive të Autoritetit të Konkurrencës, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës.

Tregu i sigurimit TPL ka qenë edhe në të shkuarën objekt hetimi nga Autoriteti i Konkurrencës, por problematikat e evidentuara në funksionimin e konkurrencës janë përcjellë për t’u adresuar në formën e rekomandimeve për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare./Monitor.al