Dinamo u mund sërish në “Air Albania”. Teuta arriti të merrte një fitore të rëndësishme, teksa në kryeqytet u zhvillua një ndeshje me shumë raste nga të dyja skuadrat. Veç rasteve që ishin në fushën e blertë, kishte edhe momente pikante jashtë fushës, si në pankina ashtu në tribuna.

– Rustem Hoxha i dëmtuar dhe Blerim Kotobelli i pezulluar po qëndronin për disa minuta në fushë pranë pankinës së Teutës me drejtues të klubit bregdetar para sfidës.

– Në “Air Albania” është bërë zakon që Dinamo të mos ketë shumë tifozë. Kështu ishte edhe sfida me Teutën, ku në tribunën ballore ishte një numër i pakët i mbështetësve.

– Sulmuesi i Kombëtares, Jasir Asani preferon të ndjekë sfidën nga tribuna e “Air Albania”.

– Luan Pinari i pranishëm në pankinën e Dinamos, shfaqet disa herë duke i kërkuar stafit që të ulen pas protestave ndaj gjyqtarit. Drejtori sportiv i Dinamos kërkon të ulë tensionin në pankinë.

– Në tribunën pas porte, është një numër i ulët i tifozëve të Teutës, megjithatë gjatë ndeshjes janë të vetmit që dëgjohen.

– Në pjesën e parë ka dy pretendime për karton të kuq. Një nga secila skuadër. Fillimisht vendësit kërkojnë të kuq për Tolin pas ndërhyrjes ndaj Nezirit e me pas për Berishën nga miqtë.

– Daja nuk përmbahet ndaj kryesorit Laver Alla, ku pas një faulli e akuzon. “Ti e ke të shkruajtur në ballë o Laver, duket që nga larg”.

– Aliji dhe Farruku i kërkojnë llogari kryesorit Laver Alla pas përfundimit të ndeshjes, me këtë të fundit që shoqërohet në dhomat e zhveshje nga forcat e sigurisë.

– Lojtarët e Teutës pas fitores, takojnë njëri-tjetrin dhe për disa minuta festojnë me tifozët e paktë që ishin në stadium.

– Portieri i Teutës, Gentian Selmani takon të gjithë lojtarët kundërshtarë pas fundit të takimit.