Çmimet e naftës mund të rriten në 150 dollarë për fuçi ose më shumë, nëse lufta në Lindjen e Mesme vazhdon deri në fund të marsit.

Konkluzioni jepet nga firma analitike “Kpler”, ndërsa konflikti përshkallëzohet me Iranin që shton sulmet ndaj infrastrukturës energjetike në rajon.

“Me këtë ndërprerje të madhe të furnizimit, është vetëm çështje kohe para se çmimet të përputhen plotësisht me bazat dhe të tregojnë se sa serioze është situata”, tha për CNBC, Amena Bakr, drejtuese e analizave të Lindjes së Mesme dhe OPEC+ në Kpler, një firmë globale e të dhënave dhe inteligjencës për energjinë dhe mallrat, e cila është shfaqur si një lojtare e rëndësishme në tregun global të informacionit të energjisë në vitet e fundit.

Ajo theksoi se kjo është një tronditje e furnizimit – jo vetëm në naftë – që po ndikon në ekonominë globale, duke shtuar se, pavarësisht konfliktit, aleanca OPEC+ ka të ngjarë të mbetet e paprekur, siç ka ndodhur në konfliktet e mëparshme midis anëtarëve të saj.

Të enjten në mëngjes, çmimet e naftës ‘Brent’ arritën në 114 dollarë për fuçi dhe më pas u kthyen në pak nën 120 dollarë, ndërsa sulmet iraniane ndaj infrastrukturës energjetike në Lindjen e Mesme vazhduan.

Në të njëjtën kohë, Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur për transportin detar, përveç ngarkesave iraniane.