Vdekshmëria foshnjore në botë vazhdon të jetë në shifra të larta. Sipas një raporti të fundit të OBSH në vitin 2024, rreth 4.9 milionë fëmijë humbën jetën pa festuar ditëlindjen e tyre të pestë.

Pothuajse gjysma e vdekjeve, rreth 2,3 milionë ndodhin tek të porsalindurit, kryesisht për shkak të lindjeve të parakohshme dhe komplikacioneve gjatë lindjes. Ndërsa pas muajit të parë të jetës, sëmundje infektive, pneumonia dhe diarreja mbeten ndër shkaktarët kryesorë.

Për herë të parë, raporti evidenton edhe ndikimin e kequshqyerjes së rëndë akute, e cila ka shkaktuar mbi 100 mijë vdekje direkte tek fëmijët, ndërsa ndikimi i saj real është edhe më i madh për shkak të dobësimit të imunitetit.

Rajonet më të prekura janë Afrika Sub-Sahariane, që përbën 58 % të vdekjeve, dhe Azia Jugore me rreth 25 %  dhe 9% janë në Europë dhe Amerikën e veriut.

Ekspertët e shëndetësisë botërore thonë se shumica e këtyre vdekjeve janë të parandalueshme përmes ndërhyrjeve të thjeshta dhe me kosto të ulët, si vaksinimi, kujdesi cilësor gjatë shtatzënisë dhe trajtimi i sëmundjeve të zakonshme.

Raporti tregon se vdekshmëria globale e fëmijëve është ulur me më shumë se gjysmën që nga viti 2000 por pas vitit 2015 progresi është ngadalësuar.