Nëse po kërkoni një vend pushimi në Durrës, me ambiente komode e çlodhëse, ku të shijoni specialitete të kuzhinës italiane dhe asaj shqiptare, shoqëruar me një panoramë fantastike nga deti Adriatik, hotel “Vala” ka menduar për ju këtë sezon turistik duke ofruar për pushuesit vendas edhe ata të huaj, çmimet më konkurruese në treg.
Për të promovuar më tepër turizmin e brendshëm këtë sezon të pazakontë pandemie, Fisnik Gjinali – administrator i hotel “Vala”, sjell oferta joshëse për të gjithë ata që duan të shkëputen nga rutina e zakonshme e javës, e të qetësojnë sytë e mendjen në hotelin e pozicionuar në zemër të vijës bregdetare të Durrësit.
“Kemi përgatitur oferta të ndryshme me çmime konkurruese në treg, në mënyrë që të promovojmë turizmin e brendshëm, edhe atë të huaj padiskutim. Jemi duke punuar shumë me ofertat turistike, qoftë me pjesën e ushqimit, qoftë me fjetjen. I kemi harmonizuar të dyja në paketa të ndryshme turistike. Hoteli ka kapacitete të mëdha për të ofruar shërbime në ngrënie dhe fjetje, po ashtu dhe të festave të ndryshme që mund të organizohen.
Në restorant kemi bërë një miksim të kuzhinës italiane me atë shqiptare në mënyrë që turistët e huaj të provojnë dhe të prekin sadopak nga kulinaria jonë vendase. Çmimet në restorant janë nën çmimet e tregut, mjaft konkurruese, gjithmonë kjo referuar faktit që ndodhemi në një situatë jo favorizuese për turizmin”, thotë Gjinali.
Që të përjetoni momente unike në ditën tuaj të përsosur apo atë të miqve e familjarëve, personeli i hotel “Vala” kujdeset në detaje që të krijojë kujtime të paharruara për këdo që do të kalojë një festë të vërtetë, e ku më bukur se të kombinuar me këtë oaz mbresëlënës:
“Referuar panoramës, jo vetëm në pjesën lart por edhe poshtë, është konceptuar që në fillim kur është bërë dizajni dhe interiori, që të ketë kapacitet që të sjellë volum në persona për të organizuar evente të ndryshme. Kemi organizuar evente, po gjithmonë duke ruajtur distancat sociale, me 50-60 persona. Ambienti është i bukur, ka fushëpamje, është shumë këndshëm. Organizojmë koktejle, bankete të ndryshme, ditëlindje. Kemi pasur martesa të vogla ku është bërë dhe altari në rërë”.
Fisnik Gjinali tregon se këtë vit që pandemia e koronavirusit ka ndikuar në mbërritjen e turistëve të huaj për shkak të kufizimeve e mbylljes së kufijve, fokusi kryesor është drejtuar tek turistët e Kosovës dhe ata vendas, ku për këta të fundit ka një paketë promocionale të lakmueshme.
“Pjesa më e madhe janë turistë të huaj, kemi dhe turistë vendas. Turizmi vendas nuk është aq shumë i mirëpromovuar në Shqipëri. Turistët e huaj pjesën më të madhe e kemi italianë, nga Italia e Jugut, turistët polakë edhe nordikë. Ata bëjnë diferencën, polakët kanë përqindjen më të madhe të turistëve që vijnë në hotel, kjo referuar viteve të tjera. Tani jemi duke punuar më shumë me turizmin e brendshëm dhe të Kosovës.
Kemi edhe paketën “Get away by the way” – e cila përmban mëngjesin, darkën, fjetjen dhe e gjitha kushton 20 euro për person. Është një çmim shumë konkurrues që nuk gjendet kollaj. Kjo është për të promovuar sa më shumë turizmin e brendshëm”, tregon administratori i hotel “Vala”.
S.L.





