Pavarësisht se jemi ende në sezonin e ulët, turistët nga vendet evropiane e preferojnë mjaft Durrësin në këtë periudhë. Dominojnë kryesisht ata nga Evropa Perëndimore dhe vendet nordike, por edhe vizitorët nga Mbretëria e Bashkuar. Për ta, vendi ynë mbetet një destinacion mjaft interesant.
“Kur isha student, Shqipërinë nuk mund ta vizitonim. megjithëse kisha dëgjuar shumë për të. Tani që shumë njerëz e kanë vizituar vendin tuaj dhe jepnin përshtypje shumë të mira vendosëm ta vizitojmë. Erdhëm tani sepse në verë kemi dëgjuar që tek ju bën shumë vapë dhe si gjermanë që jemi, nuk e kemi shumë qejf të nxehtin”.
“Durrësi është qytet i bukur, shumë i këndshëm. Njerëz të mirë, ushqim i mirë”.
“Pamë në Facebook informacione për Shqipërinë, që është një vend shumë ndryshe nga Danimarka. Përveç Durrësit do të vizitojmë edhe Tiranën. Mendoj të shkojmë me taksi, sepse kemi parë që keni trafik të rënduar.”
Ndërsa muaji mars po shkon drejt përfundimit dhe në prill e në vazhdim priten flukse të tjera turistike, autoritetet qendrore dhe vendore kanë ende mjaft punë për të garantuar një sezon të suksesshëm.
“Mendoj se duhet të zhvilloni më mirë infrastrukturën rrugore. Në jug kam parë shumë beton, shumë ndërtime. Për pak vite mendoj se do të keni mjaft turistë, por më pas ata nuk do të vijnë më, sepse po shkatërroni bregdetin tuaj”.
“Mendoj se duhet të jepni më shumë informacion sesi ta eksplorojmë qytetin. Kjo gjë do i ndihmonte shumë turistët”.
Të kënaqur me zgjatjen e sezonit, që tashmë nuk kufizohet vetëm në 3 muajt e verës, operatorët turistikë janë të përqendruar në garantimin e shërbimeve sa më cilësore për të huajt, por edhe vizitorët vendas. Lufta në Lindjen e Mesme pritet të mos ndikojë tek rezervimet, por mund të prekë fitimet e operatorëve, që mund të ulen me 10%.
“Pavarësisht se jemi në prag të një lufte dhe ka shqetësim në tërësi, fatmirësisht rezervimet nuk janë prekur. Ndoshta mund të ndikojë edhe pozitivisht, pasi po anulohen rezervimet në Turqi, që mund të konsiderohet si një nga vendet e konfliktit dhe Shqipëria po shihet si destinacion alternativ për pushime. E vetmja gjë që mund të ndikojë është rritja e kostove, që ndikon tek fitimet e hotelit. Për shkak të luftës, hotelet do kenë më pak fitime”,- thotë për “DurrësLajm”, Blerim Norja, administrator i njërit prej hoteleve më të njohura në qytet.
Operatorët turistikë vijojnë të përballen me problematika, që nuk ndryshojnë shumë nga ato të sezoneve të kaluara.
“Këtë vit është po i njëjti problem duke qenë se strukturat hoteliere shtohen çdo vit dhe kanë nevojë për numër të madh punëtorësh. E kemi zgjidhur me marrjen e punëtorëve nga vendet e huaja, si Filipinet, Turqia, vendet afrikane etj”,- thotë Norja.
Kur po i drejtohemi fundit të muajit mars, ende nuk ka asnjë sinjal pozitiv për hapjen e Muzeut Arkeologjik dhe atij Etnografik, dy nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në qytet. Prej vitesh, dy muzetë janë të mbyllur për shkak të rikonstruksionit.
M.B.





