Një zjarr i rënë në zonën e quajtur Pelivor, poshtë fshatit Gostivisht në bashkinë Kolonjë, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Flakët kanë përfshirë një stallë bagëtish, duke djegur rreth 40 kuintalë misër dhe elb, si edhe 150 dengje jonxhë. Paraprakisht bëhet me dije se shkaku i zjarrit ka qenë pakujdesia e vetë pronarit, në ambientin ku ai qëndronte.
Në vendngjarje ndërhynë forcat e Shërbimit Zjarrfikës të Kolonjës me dy mjete zjarrfikëse të cilët bënë të mundur shuarjen e flakëve.
Falë ndërhyrjes në kohë, u arrit të parandalohej përhapja e zjarrit drejt një sipërfaqeje pyjore me lisa që ndodhej pranë stallës, duke shmangur kështu pasoja edhe më të rënda për zonën.





