Pas barazimit spektakolar 2-2 ndaj Partizani, në kampin e Teutës vëmendja është zhvendosur te sfida e radhës. Mbrojtësi Artan Jazxhi analizon ndeshjen e fundit, ndalet te pauza 10-ditore e skuadrës dhe tregon pritshmëritë për përballjen e ardhshme ndaj Vorës, ku durrsakët synojnë të rikthehen te fitorja.

Artan, një barazim 2-2 ndaj Partizanit. Si e vlerësoni këtë ndeshje?

Ishte një ndeshje shumë e luftuar dhe me ritëm të lartë. Mendoj se bëmë një paraqitje të mirë, sidomos në disa momente ku treguam karakter. Sigurisht, kur je në avantazh, të vjen keq që nuk e mban dot rezultatin, por ndaj një kundërshtari si Partizani, një pikë nuk është për t’u hedhur poshtë.

Çfarë mendoni se mungoi që të dilnit me fitore?

Na mungoi pak përqendrim në disa episode, sidomos në mbrojtje. Janë detaje të vogla që në këto nivele bëjnë diferencën. Duhet të jemi më të kujdesshëm deri në fund të ndeshjes.

Skuadra ka një pauzë 10-ditore. Si ka ndikuar kjo te grupi?

Pauza na ka shërbyer për t’u rikuperuar fizikisht dhe për të punuar më shumë në aspektin taktik. Kemi analizuar gabimet dhe kemi punuar për t’i korrigjuar. Besoj se do të shihet një Teutë më e përgatitur në ndeshjen e radhës.

Çfarë prisni nga dueli i ardhshëm me Vorën?

Do të jetë një ndeshje e vështirë, si çdo takim në kampionat. Ne do të futemi në fushë për të marrë maksimumin. Respektojmë Vorën, por objektivi ynë është fitorja dhe do të bëjmë gjithçka për ta arritur.

Një mesazh për tifozët?

T’i falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme. Shpresoj t’i gëzojmë në ndeshjet e ardhshme me rezultate pozitive.