Partia Demokratike ka reaguar përmes një postimi publik, duke ngritur shqetësimin për zhvendosjen e 102 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme që prej më shumë se një viti ndodheshin në zonën e Porto Romano.
Sipas PD Durrës, kontejnerët përmbajnë mbetje të dyshuara toksike të kompanisë Kurum dhe po transportohen drejt fshatit Vrinë, pranë Shënavlashit, në afërsi të zonave të banuara.
Në reagimin e saj, PD Durrës thekson se këto mbetje po zhvendosen pranë sitit të ri të banesave për familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti, duke ngritur shqetësime për rrezikun e mundshëm ndaj shëndetit të banorëve.
Po sipas kësaj force politike, procesi i zhvendosjes po kryhet me urdhër të Prokurorisë, ndërsa denoncohet mungesa e transparencës dhe fakti që nuk raportohet për prani të forcave të sigurisë gjatë transportit të këtyre kontejnerëve.
POSTIMI I PLOTË:
Prej më shumë se një viti, 102 kontejnerë me mbetje të rrezikshme kanë qëndruar në Porto Romano. Mëngjesin e kësaj të diele ka nisur zhvendosja e tyre.
Bëhet fjalë për kontejnerët me mbetje të dyshuara toksike të kompanisë “Kurum”, të cilët janë transportuar drejt fshatit Vrinë, pranë Shënavlashit.
Ajo që ngre shqetësim është fakti se këto mbetje po zhvendosen vetëm pak metra larg sitit të ri të pallateve të ndërtuara për familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti.
Sipas informacioneve, i gjithë procesi po kryhet me urdhër të Prokurorisë.
Momentalisht nuk raportohet për prani të forcave të sigurisë apo policisë që të shoqërojnë transportin e këtyre kontejnerëve. Asnjë transparencë publike. Asnjë sqarim për banorët e zonës.
📌 Pyetjet që kërkojnë përgjigje urgjente janë të thjeshta:
➡️ A po rrezikohet shëndeti i banorëve?
➡️ Pse po afrohen mbetje të dyshuara toksike pranë zonave të banuara?
➡️ Kush mban përgjegjësi nëse nesër ndodh një katastrofë mjedisore?





