Klubet e futbollit të cilat do të fitojnë të drejtën për të marrë pjesë në garat e organizuara nga UEFA, do të përcaktohen si më poshtë:

a) klubi që shpallet kampion për Kategorinë Superiore në sezonin 2019-2020, do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve;

b) klubi që shpallet fitues i Kupës së Shqipërisë, do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Europës;

c) klubet që renditen në vendet 2 dhe 3 në klasifikimin përfundimtar të Kategorisë Superiore do të marrin pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Europës;

d) nëse klubi i shpallur kampion i Superiores fiton njëkohësisht edhe Kupën e Shqipërisë, atëherë ekipi i renditur në vendin e katërt në klasifikimin përfundimtar, do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Europës;

e) nëse klubi i renditur në vendin e dytë ose të tretë fiton njëkohësisht edhe Kupën, atëherë klubi i renditur në vendin e katërt do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Europës;

f) nëse skuadra e shpallur kampione fiton njëkohësisht edhe Kupën dhe nëse skuadra finaliste e Kupës është e renditur në vendet 2 dhe 3, atëherë skuadra e renditur në vendin e 4-t do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Europës;

* Ndeshja “play out”: klubet që e mbyllin kampionatin e Kategorisë së Parë në vendet e dyta të grupeve A dhe B, do të luajnë një ndeshje finale mes tyre për të përcaktuar skuadrën fituese që do të përballet më pas me vendin e tetë të Kategorisë Superiore.

Ndeshja mes të dytës më të mirë të Kategorisë së Parë dhe vendit të tetë në Superiore do të zhvillohet në stadiumin e skuadrës së vendit të tetë. Kjo do të përcaktojë klubin që do të jetë pjesë e elitës në sezonin 2020-2021.

RREGULLORJA E KLASIFIKIMIT

Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret si më poshtë:

a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

b) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

c) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit për sezonin futbollistik 2019- 2020;

d) numri më i madh i golave të shënuar gjatë kampionatit;

e) me short.