Real Madrid i të ardhmes do të jetë në duart e Toni Kros. Sigurisht, jo si një futbollist, pasi gjermani e ka mbyllur me fushat e lojës, por si një drejtues.Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, Perez i ka idetë e qarta për një kthim të gjermanit në radhët e klubit, me rolin e një drejtuesi apo të një personi që të jetë afër skuadrës. Jo si një shqetësim për trajnerin, kushdo qoftë ai, por si një urë lidhëse derisa të mësojë plotësisht edhe si funksionojnë strukturat drejtuese të madrilenëve.
Bëhet e ditur që është vetë Perez ai i cili insiston për kthimin e Kros dhe po punohet për një marrëveshje mes palëve duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Kros ka hapur ndërkohë një akademi futbolli, por mendohet se e sheh me sy të mirë këtë kthim te Reali, për të provuar një eksperiencë tashmë si drejtues në klubin ku ishte për shumë vite “truri” i mesfushës së skuadrës që dominoi futbollin evropian. Dhe ndryshe nga shumë ish-madrilenë të tjerë, respekti ndaj tij ka qenë i dukshëm edhe nga rivalët, gjë që e bën një figurë edhe më të rëndësishme për imazhin e “los blancos”.





