Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen reagoi me një postim mbrëmjen e sotme, duke deklaruar se Hungaria zgjodhi Evropën.
Ajo përshëndeti zgjedhjet, procesin dhe qytetarët hungarezë mbrëmjen e sotme (12 prill).
“Hungaria ka zgjedhur Evropën. Evropa gjithmonë ka zgjedhur Hungarinë. Së bashku, ne jemi më të fortë. Një vend rifiton rrugën e tij evropiane. Bashkimi bëhet më i fortë”, shkroi ajo me një postim në rrjetin social së fundmi.
Zgjedhjet në Hungari cilësoheshin kyçe, pasi Orban ishte afruar në miqësi me Putin dhe Rusinë, duke u larguar çdo ditë e më shumë nga BE-ja.

Zgjedhjet në Hungari, numërohen mbi 47% e votave, 136 nga 199 vende për opozitën
Opozita deklarohet fituese e zgjedhjeve në Hungari pasi edhe numërimi dhe rezultati i nxjerrë cilësohet i pandryshueshëm më tej, edhe pse pritet konfirmimi zyrtar.
Péter Mágyár rrëzoi nga froni Viktor Orbán pas 16 vitesh në pushtet. Lideri i opozitës fitoi 136 vende nga 199 me mbi 47% të votave të numëruara, dhe në një postim në Facebook ai tha se Orbán e kishte uruar në telefon për fitoren e tij.
Ndërkohë, partia Fidesz e Orbán ka 56 vende, sipas të dhënave të Europe Elects.
“Rezultatet e zgjedhjeve nuk janë ende përfundimtare, por janë të kuptueshme dhe të qarta. Rezultati i zgjedhjeve është i dhimbshëm për ne, por i qartë. Nuk na u dha përgjegjësia dhe aftësia për të qeverisur. E përgëzoj fituesin”, tha Orbán në një fjalim para votuesve të partisë Fidesz.
Menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor, Magyar theksoi në deklaratat e tij se partia e tij kishte marrë disa ankesa për mashtrime dhe përpjekje për të ndikuar në rezultat, për të cilat, siç tha ai, do të ketë një hetim dhe, nëse është e nevojshme, do të ndërmerren veprime ligjore.
“Kushdo që kreu ose nxiti mashtrim zgjedhor do të mbahet përgjegjës para ligjit”, tha ai.





