Kryeministri Edi Rama foli sot për “Paketën e Maleve”, duke e quajtur si një instrument për zhvillimin e zonave malore dhe përfshirjen e diasporës në ekonomi. Gjatë fjalës së tij në samitin e Diasporës që po mbahet në Tiranë, Rama ka theksuar se zonat malore kanë qenë historikisht të lëna pas zhvillimit dhe shpesh të përdorura si vend strehimi në kohë të vështira.

Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në një realitet të ri, ku vendi gëzon besimin e botës, duke e parë atë si një destinacion tërheqës jo vetëm për vizitorët, por edhe për investime.

“Zgjodha të sjell në Samit një vendim të Qeverisë Shqiptare që më duket se ka brenda, përveç konkretësisë së vet, edhe një simbolikë: paketën e maleve për të gjithë ata që kanë lënë tokën e tyre në mal për të kërkuar një jetë më të mirë. Malet kanë qenë gjithmonë larg zhvillimeve të këtij vendi. Kanë qenë gjithmonë vendet ku shqiptarët janë tërhequr për t’u mbrojtur ndaj atyre që kërkonin t’i merrnin rob. Por sot ka ardhur dita e bekuar që malet bëhen pjesë e burimeve të mirëqenies së shqiptarëve. Sot për herë të parë në historinë tonë kemi dy gjëra që nuk i kishim vite më parë. Kemi Shqipërinë e besuar nga bota dhe shqiptarët e botës me besimin te Shqipëria. Kemi shqiptarët e botës që e shohin që Shqipëria nuk është më e bukur dhe tërheqëse vetëm për ta, por edhe për të huajt.

Prandaj u them shqiptarëve që kanë një copë tokë diku në një mal, në një kodër, që kanë një shtëpi të braktisur të gjyshit a stërgjyshit, ta marrin në dorë paketën e maleve dhe ta kthejnë atë tokë në burim mirëqenieje. Shqipëria e sotme që tërheq 12 milion turistë në vit është në gjendje, që me mbështetjen e qeverisë, ata të fitojnë në fund të muajit më shumë sesa fitojnë duke punuar për të tjerët jashtë atdheut. Kjo e maleve vlen për të gjitha. Një komunitet global shqiptar është një komunitet, anëtarët e të cilit i kthejnë sytë nga Shqipëria, kanë jo vetëm shumë për të bërë për Shqipërinë, por sot kanë edhe çfarë të fitojnë duke punuar për Shqipërinë. Po e ushqejmë marrëdhënien tonë, për të ushqyer sa më mirë Shqipërinë, nga distanca në afërsi, nga ndjenjat në strategji. E ardhmja e Shqipërisë shkruhet në Romë, në Athinë, në Londër, në Neë York. Në çdo vend ku shqiptarët punojnë dhe ëndërrojnë. Por e ardhmja e Shqipërisë shkruhet kudo ku shqiptarët jetojnë, duke filluar nga Kosova, edhe duke vazhduar me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët duhet ta harrojë askush, janë një popull shtetformues i Republikës mike të Maqedonisë së Veriut”, tha Rama.