Kina ka ashpërsuar sot qëndrimin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke e cilësuar “të rrezikshme dhe të papërgjegjshme” bllokadën e porteve iraniane, ndërsa u paraqit njëkohësisht si aktore aktive në përpjekjet për zgjidhjen e krizës gjatë një dite me aktivitet të dendur diplomatik në Pekin.

Pekini paralajmëroi gjithashtu se Kina do të ndërmarrë masa hakmarrëse “të vendosura” nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vendosin tarifa shtesë doganore, për shkak të dyshimeve për furnizim me ndihmë ushtarake ndaj Iranit.

Në të njëjtën kohë, Kina u paraqit si mbrojtëse e së drejtës ndërkombëtare dhe e sovranitetit të shteteve të Lindjes së Mesme, duke deklaruar se është e gatshme të vazhdojë të luajë një rol “konstruktiv” për paqen.

Ashpërsimi i tonit nga Pekini vjen pasi një ditë më parë hyri në fuqi bllokada detare e SHBA- së kundër porteve iraniane në Gji dhe në Detin e Omanit. Teherani e ka denoncuar këtë si një akt “të paligjshëm” të “piraterisë”.

Më shumë se gjysma e importeve kineze të naftës bruto të transportuar në rrugë detare vinin vitin e kaluar nga Lindja e Mesme dhe kalonin kryesisht përmes ngushticës së Hormuzit, sipas kompanisë analitike Kpler. Para luftës, Irani destinonte më shumë se 80% të eksporteve të tij të naftës drejt Kinës, gjithashtu sipas Kpler.

“Bllokada amerikane vetëm sa do të përshkallëzojë tensionet, do të dobësojë një marrëveshje armëpushimi tashmë të brishtë dhe do të komprometojë edhe më tej sigurinë e kalimit në ngushticë”, deklaroi Guo Jiakun, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

“Bëhet fjalë për një sjellje të rrezikshme dhe të papërgjegjshme”, theksoi ai gjatë një konference të rregullt për shtyp.

Ai reagoi gjithashtu ashpër ndaj raportimeve të medieve amerikane sipas të cilave Kina ka furnizuar ose mund të furnizojë Iranin me pajisje ushtarake.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar të dielën me vendosjen e tarifave prej 50% mbi mallrat kineze.

Guo Jiakun i quajti sërish “të sajuara nga fillimi në fund” këto pretendime.

“Kina do të marrë kundërmasa të vendosura nëse SHBA-ja vazhdon të përdorë këtë pretekst për të vendosur tarifa shtesë doganore”, paralajmëroi ai.

Më herët gjatë ditës, presidenti Xi Jinping kritikoi në mënyrë të tërthortë operacionet amerikane, gjatë një takimi në Pekin me princin trashëgimtar të Abu Dhabit, Khaled bin Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

“Ruajtja e autoritetit të së drejtës ndërkombëtare nuk duhet të nënkuptojë përdorimin e saj kur na leverdis dhe hedhjen poshtë kur nuk na leverdis. Nuk mund ta lejojmë botën të kthehet në ligjin e xhunglës”, tha Xi, sipas medieve shtetërore.

Kina priti sot një sërë liderësh të huaj, të gjithë të prekur në mënyra të ndryshme nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, edhe pse këto nuk ishin shpallur si arsyeja kryesore e vizitës së tyre.

Përveç princit trashëgimtar të Abu Dhabit, në Pekin ndodheshin edhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, presidenti vietnamez To Lam dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, një nga zërat kryesorë perëndimorë që kundërshton luftën e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit.