Një operacion antidrogë i Policisë së Durrësit ka çuar në goditjen e një rasti të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Në kuadër të operacionit të koduar “Banesa”, u arrestua në flagrancë një 30-vjeçar, ndërsa u sekuestruan 8 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Sipas Policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, ndërhynë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, që tregonin se shtetasi E. K., banues në Durrës, posedonte një sasi droge të fshehur në një banesë të pabanuar pranë shtëpisë së tij, në lagjen nr. 8.
30-vjeçari u kap në flagrancë në momentin kur po tentonte të merrte lëndën narkotike, e cila u sekuestrua si provë materiale.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.





