Sot është dita e fundit e qëndrimit të tyre në Durrës, pasi pas disa orësh do të kthehen në vendin e tyre, Austri. Po largohen me përshtypjet më të mira nga vendi i shqiponjave, pasi përgjatë këtyre 7 ditëve të qëndrimit kanë parë shumëçka që ofron Shqipëria turistike dhe ndihen shumë të kënaqur që zbuluan vendin e vogël, për të cilin shumë pak dinin.

“Është një vend fantastik, shumë i mirë për ne turistët austriakë. Sot është dita e fundit. Kemi ndenjur 7 ditë”.

“Vij për herë të parë këtu. Jemi një grup miqsh. Na ka pëlqyer shumë vendi juaj.”

“Shqipëria është shumë e bukur. Pamë sitet historike dhe arkeologjike të vendit tuaj. Na pëlqyen shumë. Jemi të kënaqur me çmimet dhe ushqimet tuaja tradicionale”.

“Kemi parë shumë qytete. Sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, si dhe muzetë tuaja. Më vjen mirë që zbulova kaq shumë gjëra në Shqipëri.

Veronika Huemer është për të dytin vit në Durrës. Ajo pret e përcjell grupet turistike nga vendi i saj i lindjes dhe na shpjegon cilat janë gjërat që preferohen më shumë nga turistët austriakë në Shqipëri.

Sipas saj, në vitet në vijim numri i turistëve nga Austria pritet të rritet, pasi përshtypjet e mira kanë mjaft rëndësi për imazhin turistik të vendit.

“Turistët austriakë qëndrojnë një javë dhe e pëlqejnë shumë vendin tuaj. Ata ndihen shumë të mirë se ardhur këtu dhe çdo gjë u pëlqen, ushqimi, çmimet, natyra etj. Ata nuk dinin shumë gjëra për Shqipërinë dhe surprizohen kur shohin shumë gjëra interesante dhe moderne në të njëjtën kohë. Ata vizitojnë Sarandën, Vlorën, veriun e vendit dhe më pas vijnë në Durrës. Reklama më e mirë për ju janë përshtypjet e tyre të mira, që ata ua kalojnë familjarëve”.

Krahas turistëve të huaj, që këtë vit e hapën sezonin turistik që në muajin mars, kanë nisur të rikthehen edhe bashkëatdhetarët tanë nga Kosova, të cilët zgjedhin kryesisht ofertat turistike të fundjavës. Por si e parashikojnë këtë sezon strukturat akomoduese.

Mund të themi me plot bindje që Shqipëria po kthehet në një nga destinacionet më të preferuara të Europës. Edhe situata e luftës ka ndikuar, pasi shumë rezervime që ishin bërë për në Turqi janë anuluar dhe turistët po e shohin Shqipërinë si një destinacion të sigurt. Gjithashtu, ka pasur kërkesa dhe rezervime të vonshme.“, u shpreh Blerim Norja, administrator hoteli.

Në mesin e muajit prill, rrugët e Durrësit janë të mbushura me grupe turistësh të huaj. Nga operatorët turistikë, ky duket një ogur mjaft i mirë për një sezon të suksesshëm.

M.B.