Autoritetet italiane kanë arrestuar dy shqiptarë në Bolzano, pasi akuzohen për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e një 43-vjeçari shqiptar u gjetën 7.3 kg marijuanë të paketuar dhe të mbyllur me nxehtësi. Ndërsa gjatë kontrollit në magazinën e tij, policia italiane gjeti dhe 28 kilogramë marijuanë, gjysma e të cilave janë ende në tharëse, gati për t’u paketuar.

Në bodrumin e banesës u gjetën dy dhoma të shndërruara në sera industriale me 1,920 bimë kërpi në lulëzim të plotë, mundësuar nga sistemet profesionale të ujitjes, ventilimit dhe ndriçimit artificial.

Mediat italiane shkruajnë se në këto ambiente u gjet edhe një 40-vjeçar shqiptar i cili kujdesej për bimët.

Dy të arrestuarit u shoqëruan nga operatorët e policisë gjyqësore në burgun e Bergamos. Ata akuzohen për posedim dhe prodhim të sasive të mëdha të lëndëve narkotike.