Nga: Aleks Kalemasi – Lorenzo Zejnati
Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Doktorit të Shkencave, Kolonel në Rezervë, Novruz Zejnati. Kolonel Nokja është një figurë e shquar e Forcave të Armatosura Shqiptare, intelektual i përkushtuar dhe dëshmitar i një prej periudhave më të ndërlikuara të historisë së ushtrisë sonë.
Që në moshë të re, kur veshi për herë të parë uniformën ushtarake vetëm 14 vjeç, ai e lidhi jetën e tij pazgjidhshmërisht me shërbimin ndaj atdheut. Me rezultate të shkëlqyera në formimin e tij akademik dhe ushtarak, Novruz Zejnati u dallua për përgatitje të lartë profesionale, disiplinë të hekurt dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie.
Karrierën e nisi në një nga pikat më strategjike të mbrojtjes së vendit, në ishullin e Sazanit, ku shërbeu në strukturat e mbrojtjes detare në një kohë kur kjo bazë përbënte një ndër shtyllat kryesore të sigurisë kombëtare. Me përkushtim dhe aftësi të spikatura, ai u rrit në detyrë duke kaluar në struktura të rëndësishme të zbulimit ushtarak, ku dha një kontribut të vyer për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Një kapitull i veçantë në jetën e tij mbetet pjesëmarrja në një mision sekret në luftën e Vietnamit, në moshë shumë të re. Aty ai fitoi një përvojë të jashtëzakonshme në terren, duke ndjekur nga afër strategjitë moderne të luftimit dhe organizimin e mbrojtjes kundërajrore. Kjo eksperiencë u reflektua më pas në përmirësimin dhe riorganizimin e strukturave mbrojtëse në Shqipëri, duke e bërë atë një nga njohësit më të mirë të artit ushtarak të kohës.
Në kulmin e karrierës së tij, gjatë viteve 1973–1978, Novruz Zejnati shërbeu si komandant i Brigadës së Parë në Tiranë, një nga njësitë më elitare të ushtrisë shqiptare. Nën drejtimin e tij, kjo brigadë mbante përgjegjësi jetike për mbrojtjen e kryeqytetit, të aeroportit të Rinasit dhe për garantimin e sigurisë së udhëheqjes në rast konflikti. Profesionalizmi, vizioni strategjik dhe aftësia organizative e tij u vlerësuan lart, madje edhe nga ekspertë ndërkombëtarë në vitet që pasuan.
Por jeta e tij nuk ishte vetëm një rrugëtim suksesi profesional. Kolonel Novruz Zejnati mbeti një dëshmitar dhe protagonist i drejtpërdrejtë i goditjeve të rënda politike që përfshinë elitën e ushtrisë shqiptare në vitet ’70. Ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së kohës, Petrit Dume, gjë për të cilën edhe do të survejohej e akuzohej si bashkëpunëtor i “puçistëve”. Ai qëndroi me dinjitet dhe guxim përballë presioneve, duke refuzuar të mohojë figurat më të larta ushtarake me të cilat kishte bashkëpunuar, si dhe të bëjë autokritika të pavërteta. Për këtë qëndrim të palëkundur, ai u përball me kritika, përndjekje dhe vështirësi të shumta, por kurrë nuk hoqi dorë nga parimet e tij.
Edhe në momentet më të vështira, ai dëshmoi integritet të lartë moral dhe profesional, duke mbetur besnik ndaj së vërtetës dhe idealeve të tij. Më vonë, ai vijoi të kontribuojë në fushën akademike dhe studimore, duke ndarë përvojën e tij nëpërmjet shkrimeve, analizave dhe botimeve që hedhin dritë mbi historinë dhe zhvillimet e ushtrisë shqiptare. Ai është autor i një sërë librash, kryesisht të historisë ushtarake, si:
Ne ishim në Vietnam,
Udhëtim në xhungël,
Ahmet Zogu, Mbret dhe komandant i shqiptarëve,
Ahmet Zogu, Politikan apo Ushtarak,
Gjeneral Esat Pashë Toptani, të thëna e të pathëna
T’i jepet gjeneral Esatit, ajo që i takon Esatit
Disa mendime rreth artit ushtarak të Kryengritjes së Përgjithshme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare
Kolonel Novruz Zejnati do të kujtohet si një ushtarak i përkushtuar, një drejtues me vizion, një intelektual i ndershëm dhe një njeri që nuk u përkul përballë padrejtësive. Ai lë pas një trashëgimi të vyer në shërbim të vendit dhe një shembull frymëzues për brezat që do të vijnë. Për mua (Aleks Kalemasi) ai ishte një nga miqtë më të mirë të viteve të fundit me të cilin pata nderin të bashkëpunoj dhe punoj në botimin e librave të tij të fundit. Ai ishte dhe mbeti besnik i së vërtetës duke mos bërë asnjëherë kompromis ndaj bindjeve të tij. Për mua dhe nipin e tij, Lorenzo Zejnati, me të cilin po shkruajmë këto radhë, ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe.
Ngushëllime të sinqerta familjes, bashkëshortes së tij Nexhmijes, me të cilën jetuan 64 vjet së bashku, djemve, Qamilit dhe Arturit, të afërmve dhe të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin dhe të punojnë me të!
Shënim: Ceremonia e varrimit do të zhvillohet ditën e martë, 21 prill 2026, në Prato Itali, aty ku dy djemtë e tij, Qamili dhe Arturi, jetojnë prej vitesh.
Jetëshkrim i shkurtër:
Novruz Zejnati është lindur në Delvinë, më 9 mars 1941
Arsimin e detyruar e kryen në Lazarart të Gjirokastrës.
Përfundon studimet e mesme në shkollën ushtarake “Skënderbej”
Arsimohet për studime të larta në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.
Thellon njohuritë në sferën ushtarake “Akademia Ushtarake”
Kryen kursin 1-vjeçar pas Akademisë
Mban gradën shkencore: Kandidat i Shkencave, Doktor i Shkencave, Kolonel në Rezervë.
Oficer i rangut të lartë për 30 vite
Ka kryer detyra të rëndësishme në hierarkinë ushtarake
Pjestar i grupit prej 12 ushtarakësh të kundërzbulimit në luftën e Vietnamit
Pedagog në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm
Autor i librave, studimeve, referateve
Pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore
Udhëheqës dizertacioni për studentë dhe ushtarakë
Vlerësuar me urdhëra dhe medalje.






