Një 39-vjeçar i identifikuar si A.M. u arrestua nga Policia e Vlorës për dyshimet se është personi që dogji makinën e një punonjësi policie disa ditë më parë.

Ai është gjurmuar përmes kamerave të sigurisë, teksa autoritetet thonë se kanë dokumentuar që djegia e makinës është kërkuar nga burgu, duke identifikuar si porositës 35-vjeçarin L.H.

Përmes një njoftimi zyrtar, Policia sqaron se dyshohet që ngjarja ka lidhje me një operacion policor të datës 02.04.2026.

Gjatë operacionit, shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja”, ndër të cilët ishte edhe punonjësi i Policisë, të cilit iu dogj makina, kanë kapur në flagrancë shtetasin L.H. pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga djegia e makinës, mesnatën e 14 prillit, u dëmtua edhe një makinë tjetër që ishte pranë.