Presidenti franzez Emmanuel Macron dhe kryeministri polak Donald Tusk, do takohen sot në Gdansk të Polonisë, me qëllimin kryesor forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e mbrojtjes.
Mbrojtja bërthamore, satelitët ushtarakë dhe industria e mbrojtjes janë në tryezë, me të dyja palët që kërkojnë një Evropë “më të fortë dhe më dominuese” kundër Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Pas mbërritjes së tij, Macron vizitoi varrezat e qytetit, duke ndjekur traditën e paraardhësve të tij, Charles de Gaulle dhe François Mitterand, ku janë varrosur ushtarët francezë të vrarë në luftërat në Poloni.
Takimi bazohet në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit të Zgjeruar të nënshkruar në Nancy më 9 maj 2025, i cili e rivendosi Poloninë si një aleat kyç të Francës, së bashku me Gjermaninë.
Siç deklaroi Donald Tusk, çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit ushtarak do të luajnë një rol qendror, në një periudhë të karakterizuar nga lufta në Ukrainë dhe tensione më të gjera ndërkombëtare.
Në qendër të vëmendjes është propozimi i Macron për frenim bërthamor “të avancuar” në tetë vende evropiane, me Gjermaninë dhe Poloninë si partnerë kryesorë.
Presidenti francez shoqërohet nga katër ministra, përfshirë ata nga Ministritë e Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme.
Macron nuk do të takohet me presidentin polak Karol Nawrotski për shkak të tensioneve me qeverinë Tusk. Për këtë arsye, vizita do të zhvillohet në Gdansk dhe jo në Varshavë.
Presidenca franceze sqaroi se ky është një “Samiti Qeveritar”, me kryeministrin dhe ministrat polakë si bashkëbisedues.





