Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Mamaj, pjesë e bashkisë Tepelenë, ku dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit të një granate.
Sipas informacioneve paraprake, një 27-vjeçar ka qenë në një kasolle ku dyshohet se mbaheshin granata, kur njëra prej tyre ka shpërthyer në dorën e tij. Si pasojë, ai ka pësuar dëmtime shumë të rënda dhe dyshohet se ka humbur të dyja duart. I riu është transportuar fillimisht drejt spitalit dhe më pas është nisur me urgjencë për në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Nga shpërthimi ka mbetur i plagosur edhe një tjetër i ri, rreth të 20-ave, i cili ka marrë dëmtime në kokë dhe në fytyrë. Ai ndodhet aktualisht në gjendje të rënduar në spitalin Gjirokastër, ndërsa pritet që edhe ai të transportohet drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar mjekësore.
Dyshohet se lënda shpërthyese ndodhej në kasollen ku ndodheshin të rinjtë në momentin e incidentit, ndërsa rrethanat e plota mbeten ende të paqarta.





