Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Memaliaj, ku një konflikt mes dy grupeve rivale ka përfunduar me përdorimin e armëve të zjarrit dhe një viktimë.

Sipas informacioneve paraprake, dy grupet kanë pasur më herët konflikte të vazhdueshme mes tyre, ndërsa mbrëmjen e sotme një sherr i momentit ka rindezur hasmëritë e vjetra, duke degjeneruar në dhunë të armatosur.

Ngjarja ka ndodhur para një lokali në pronësi të shtetasit me iniciale S.K., pranë qendrës së Memaliajt, ku shtetasi Donald Nelaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj Endri Goxhajt, duke vrarë.

Menjëherë pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i krimit në drejtim të paditur, ndërsa forcat e policisë janë vënë në ndjekje të tij për kapjen dhe shoqërimin në komisariat.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se personat e përfshirë në konflikt dyshohet të kenë precedentë të mëparshëm kriminalë, ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.