Parlamenti turk ka miratuar një ligj që ndalon aksesin në mediat sociale për personat nën moshën 15-vjeç.

Sipas ligjit, personave nën moshën 15 vjeç do t’u ndalohet regjistrimi në mediat sociale dhe platformat dixhitale do të detyrohen të zbatojnë sisteme të verifikimit të moshës, raportoi kanali turk i lajmeve NTV.

Prindërit do të kenë në dispozicion mjete për të monitoruar kohën që fëmijët e tyre kalojnë para ekraneve, si dhe shpenzimet online, ndërsa në rast emergjence, platformat kryesore të mediave sociale do të jenë të detyruara të ndërhyjnë brenda një ore nga përhapja e përmbajtjes së dëmshme, shtoi NTV.

Ligji do të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas botimit në Gazetën Qeveritare.

Disa vende po diskutojnë ndalimin e aksesit në mediat sociale për personat nën 15 vjeç. Javën e kaluar, Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për një “ditë pushimi” mujore nga rrjetet sociale për të rinjtë, me qëllim rikthimin e tyre tek aktivitetet në jetën reale, si leximi apo sporti.

Po ashtu javën e kaluar, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe udhëheqësit e 12 vendeve të BE-së (Austria, Qiproja, Republika Çeke, Gjermania, Greqia, Irlanda, Italia, Holanda, Polonia, Portugalia, Sllovenia dhe Spanja) diskutuan një kufizim të ngjashëm mbi aksesin e fëmijëve në mediat sociale.