Përzgjedhësi i Arbitrave të Serie A dhe B, Gianluca Rocchi po hetohet në Milano për pjesëmarrje në mashtrim sportiv dhe kjo e shtyu atë të vetëpezullohet. Akuza është për ushtrim presioni mbi disa arbitra duke iu kushtëzuar zgjedhjet dhe për caktimin e arbitrave që iu pëlqejnë Interit. Po kështu nën hetim është edhe supervizori VAR, Andrea Gervasoni. Por ja cilat janë të gjitha pikat e hetimeve; nga faktet e kontestuara e deri te zhvillimet e mundshme. Nga sezoni i kaluar në qendër të hetimeve qëndrojnë disa ndeshje të Serie A, Udinese-Parma e Bologna-Inter, ndeshja e kthimit gjysmëfinale në Kupen e Italisë Inter-Milan dhe ndeshja e Serie B Salernitana-Modena. Po kështu nën lupën e hetuesve është edhe Inter-Verona 2023/24 me goditjen me bërryl i Bastonit ndaj Dudas.

Për momentin nën hetim janë përcaktuesi i arbitrave në Serie A dhe B, Gianluca Rocchi dhe supervizori VAR Andrea Gervasoni. Të dy kanë marrë njoftimin nga Prokuroria; i pari me ftesën për t’u shfaqur mëngjesin e së enjtes në Prokurorinë e Milanos. Me atë rast Rocchi do të ketë mundësinë për t’u mbrojtur nga akuza për pjesëmarrje në mashtrim sportiv ose mund të zgjedhë që të mos iu përgjigjet pyetjeve, ndërkaq, Rocchi është vetëpezulluar nga posti i tij. Po kështu Prokuroria do të marrë në pyetje edhe Gervasonin.

Çfarë ka të bëjë takimi mes Rocchit dhe personave të tjerë ende të paidentifikuar në San Siro përpara ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës, Milan-Inter, ndeshjeve Bologna-Inter e sezonit të kaluar në Serie A, Inter-Milan gjysmëfinalja e kthimit në Kupën e Italisë dhe Salernitana-Modena në Serie B? Këto ndeshje nuk janë objekt i denoncimit të Rocca dhe ka shumë të ngjarë që hetimet për këto sfida të bazohen në përgjimet telefonike apo ambientale, seancat e marrjeve në pyetje apo denoncimet e reja të mbledhura. Jo rastësisht, Prokuroria e Milanos pasi hapi një dosje hetimore verën e kaluar arriti të fitojë një shtyrje të afatit  të hetimeve prej 6 muajsh

A rrezikon Interi? Për momentin jo. Në hetim nuk rezulton të jenë të përfshirë anëtarë apo punonjës të klubit dhe kjo transmeton qetësi në lidhje me këtë çështje. Cilat do të jenë hapat e mëtejshëm të hetimeve të Prokurorisë së Milanos? Supozohet që koha e hetimeve nuk do të jetë e shkurtër. Më shumë do të kuptohet pas marrjes në pyetje të Rocchit dhe Gervasonit.