Nga Aleksandër Cangonja

Në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, Kryeministri Mustafa Merlika-Kruja iu drejtua shqiptarëve me një mesazh të veçantë në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në atë moment historik, Shqipëria paraqitej më e zgjeruar se kurrë më parë, duke përfshirë troje shqiptare në Kosova, Maqedonia Perëndimore dhe vise në Mali i Zi. Në fjalimin e tij, Kruja e përshkruan këtë si një realizim të shumëpritur të bashkimit kombëtar, duke e lidhur ngushtë me zhvillimet e kohës dhe aleancat politike të periudhës.

Fjalimi i transkiptuar:

Vllazën Shqiptarë,

Nesër Populli i Ynë kremton mâ të madhen festë Kombtare: festën e liris së vet.

Qeverrija Mbretnore, tue u përgëzue me jue për këtë ditë të shênjtë e tue urue qi dielli i liris t’a ngrohë e t’a ndriçë për jetë të jetës Kombin t’onë, e sheh për detyrë me ju kujtue:

Se âsht e dyta vjetë qi këtë liri po e gzojmë bashkë me vllaznit t’onë të Kosovës, Dibrës, Ulqinit, Hotit, Grudës e Triepshit.

Se Shteti Shqiptar qi sod po mbush vetëm 30 vjet, pa bashkimin ellaznuer të tij me Italinë e madhe e pa ngadhnjimin e armvet të Boshtit kundra armiqvet t’anë shekullorë, jo vetëm qi nuk do t’ishte mâ i lirë e i zmadhuem, por do t’ishte kthye në nji shkret rrenimesh me nji popull të robnuem, të coptuem, të dërrmuem e të vorfnuem, t’untuem, të zbathun e të zhveshun dhe pa strehë mbi krye.

Të mos harrojmë pra, o vllazën Shqiptarë, se bashkimin e lumtunshëm të gjithë Kombit t’onë nën flamurin e liris, dhe jetën e qetë qi gzojmë sod të tânë së bashku, u a kemi borxh ushtarvet trima të Boshtit. Prandej, sod qi na po kremtojmë tridhjetvjetorin e liris kombtare e kemi për detyrë me kujtue, bashkë me dëshmorët t’anë qi kanë dhânë jetën e vet për këtë liri, edhe fatosat e Tripalshit, qi prej detit të Mesdheut e deri n’Oqeanin Paqësuer janë tue derdhun gjakun e vet pa kursim për sigurimin e nji t’ardhme mâ të lumë të botës, të mirat e së cilës do t’i gzojmë edhe na bashkë me ta.

Ky kujtim i përvûjtë i burrave të fortë qi vdesin sod për liri të vet dhe t’onën, na detyron me e kremtue këtë ditë jo me zhurmë e gzime të brohoritjeve të jashtme, por mâ fort me zemër e me shpirt dhe sidomos me kujtime të thella e të devotshme për dëshmorët t’anë e të, miqt t’anë.

Çdo gjest, çdo fjalë, çdo shfaqje qi mund të fyej shpirtin e atyne dëshmorve, s’pajtohet n’asnji mënyrë me frymën e ksaj dite të shênjtë, dhe kishte me prue vetëm papjekunin t’onë për tê. Prandej kishte me pasun pasoja të rënda për auktorët e tyne.

Kjo duhet të jetë për gjithë Shqiptarët e vërtetë, për gjithë Shqiptarët e mirë, nji ditë gëzimi shpirtnuer, nji ditë paqe zemrash.

Rroftë Mbreti!
Rroftë Shqipnija e madhe e e lirë!

Kryeministri
Mustafa Merlika-Kruja